Përmet/ Arrestohet 68-vjeçari, i vuri flakën barishteve në tokë. Zjarri doli jashtë kontrollit, u dogjën 70 koshere me bletë

28/09/2021 08:44

Një 68-vjeçar është arrestuar nga policia në Përmet sepse kishte ndezur zjarr për djegien e disa barishteve në tokën e tij. Si pasojë zjarri i favorizuar dhe nga era, ka dal jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe 70 koshere me bletë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet, në vijim të punës për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, ndaluan shtetasin N. I., 68 vjeç, banues në fshatin Kosinë, Përmet.

Ky shtetas në datën 27.09.2021 ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve në tokën e tij dhe si pasojë zjarri i favorizuar dhe nga era, ka dal jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe 70 koshere me bletë në pronësi të shtetasit R. N”, njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Top Channel