Itali e Greqi, çmimi i energjisë dyfish/ E gjithë Europa është në krizë për burimet e energjisë

28/09/2021 19:50

Rritja e çmimit të gazit natyror po shkakton një krizë të re në Europë.

Kjo rritje po reflektohet në fatura më të larta elektrike për konsumatorët. Spanja, Italia, Franca, Greqia dhe Britania janë ndër vendet e para që po përballen me krizën.

Në Italinë fqinje, institucioni që merret me vendosjen e çmimit të energjisë elektrike “ARERA” pritet të marrë një vendim së shpejti, ndërsa parashikimet janë që çmimet të rriten me 40%. Në Greqi gjithashtu ministri i Energjisë dhe Mjedisit, Kostas Skrekas ka lajmëruar një rritje me 50% në tregun e energjisë.

Rritja e çmimit të gazit natyror po vjen për shkak të tranzicionit në një energji më miqësore me mjedisin ku shumë fabrika që punojnë me qymyr dhe impiante bërthamore janë mbyllur nëpër Europë, ndërkohë që për ato të mbetura janë rritur dyfish kostot për emetimin e dyoksidit të karbonit. Përveç kësaj edhe kushtet klimaterike të këtij viti, kanë bërë që Rusia, furnizuesi kryesor i gazit në Europë, të ketë një vit të dobët prodhimi.

Unioni Kombëtar i Konsumatorit për familjet në Itali ka llogaritur se çdo familje do duhej të paguante 247 euro më shumë në vit për faturën e gazit dhe energjisë elektrike. Ministri i Tranzicionit Ekologjik në Itali, Roberto Cingolani, është shprehur se kalimi në një energji më të pastër nuk mund të bëhet në kurriz të qytetarëve, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit.

Ndërkohë, Spanja ka marrë masa emergjente për të reduktuar faturat e energjisë, ndërsa Franca planifikon të bëjë pagesa prej 100 eurosh për rreth 6 milionë familje me të ardhura të ulëta. Në Britani, qeveria po diskuton për shtrirjen e ndihmës nga shteti.

Rritja e çmimit të gazit natyror është evidentuar edhe në vendin tonë, ku OSHEE ka blerë nga tregjet ndërkombëtare tre herë më pak energji, me çmime që kapën rekordin e tyre në vlerën e 180 eurove. ERE institucioni rregullator për vendosjen e çmimit të energjisë në raportin vjetor ka deklaruar se nuk parashikon të rrisë çmimin, ndërsa kriza vazhdon të zhvillohet me ritme të shpejta.

Top Channel