Ashtu siç kishin paralajmëruar deputetët e opozitës kanë marrë pjesë fizikisht në Komisionin e Ligjeve. Por kjo këmbëngulje e tyre për të mos u loguar online nuk është pritur mirë nga kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, e cila nuk i ka dhënë të drejtën e fjalës.
Si rezultat mbledhja, e cila zgjati vetëm disa minuta u shoqërua me tensione nga ana e opozitës, ku deputeti Gazment Bardhi iu drejtua kryetares së Komisionit, Klotilda Bushka duke thënë ‘të të vijë turp që injoron deputetët e opozitës’.
Debati:
Bardhi: Nuk na e cakton ti se ku logohemi dhe kur logohemi. Ka mundësi të na e japësh fjalën se s’do na mësosh ti se ku të punojmë.
Bushka: Online 18 anëtarë.
Bardhi: Nuk mund t’i mohosh deputetëve të drejtën e fjalës. Do ma japësh fjalën.
Bushka vijon me leximin e rendit të ditës.
Bardhi: Zonja kryetare do na japësh fjalën tani. Ne po flasim këtu kurse ti vazhdon leximin e rendit të ditës. Ça jemi në këtu. Të të vijë turp që injoron deputetët e opozitës në debatin e Komisionit.
Bushka: E mbyll mbledhjen dhe për mbledhjen tjetër do të njoftoheni.
Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi në një prononcim për media nga ambientet e jashtme të Kuvendit tha se opozita do vijojë të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e Komisioneve, ndërsa shton se Rama po e bën këtë për të mos lejuar kundërshtimin në parlament të gjitha aferave, që sipas tij po mundohet t’i kthejë në ligj.
“Është mënyrë për të hequr transparencën qytetarëve se kush janë aferat korruptive të qeverisë. Do garantojmë transparencë për çdo shkelje që sjell Rama për t’i vënë vulën në këtë parlament ilegjitim. Ne do ta refuzojmë dhe do jemi këtu për të përfaqësuar shqiptarët dhe do të ndalojmë Ramën që të kontrollojë vendin.
Bojkoti nuk mund të jetë një vendim i Ramës. Rama po i mohon opozitës mundësinë të kundërshtojë në parlament të gjitha aferat që po mundohet t’i kthejë në ligj dhe që në këtë mënyrë po mundohet të vjedh shqiptarët”, tha Bylykbashi.
Top Channel