Vardy nuk mjafton për Leicester, West Ham përmbys Leeds-in, Norwichi i Rashicës humb sërish

26/09/2021 00:45

Leicester duket shumë larg formës së sezonit të kaluar, teksa pasditen e sotme nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 në përballjen ndaj Burnley-t dhe pas 6 javësh kampionat, e sheh veten në vendin e 12 me vetëm 7 pikë.

Në “King Power Stadium”, vendasit e nisën mirë ndeshjen, por u befasuan në minutën e 12’, kur sulmuesi Jamie Vardy devijoi në mënyrë të pafat topin në rrjetën e portës së tij dhe u dha avantazhin miqve.

Në të 37-ën ishte sërish sulmuesi kryesor i Leicester që dërgoi topin në rrjetë, këtë herë në atë të duhurën dhe riktheu baraspeshën, por vetëm për tre minuta, pasi Cornet shënoi sërish për miqtë nga Burnley. Mesfushori 24-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, që erdhi këtë verë nga Lyoni, shënoi një gol fantastik me goditje nga distanca dhe më pas u largua nga fusha e lojës i dëmtuar, duke i lënë vendin islandezit Gudmundsson.

Pjesa e dytë foli tërësisht për “dhelprat” që pavarësisht dominimit dhe rasteve të shumta për shënim, ia dolën të rikthejnë baraspeshën vetëm në minutën e 85-të, sërish me anë të Jamie Vardy-t, i cili e nisi ndeshjen me autogol, por më pas kompletoi dopietën dhe shmangu humbjen për të tijtë.

Reagon mirë pas dy humbjesh radhazi Evertoni i Benitez, që ia doli të triumfojë me shifrat 2-0 ndaj Norwichit. “Toffies” zhbllokuan sfidën me një penallti të ekzekutuar saktë nga Townsend, ndërsa më pas vulosën suksesin me golin e Doucoure në pjesën e dytë përballë një Norwichi që regjistroi humbjen e 6 në po kaq ndeshje dhe nuk ka marrë ende asnjë pikë këtë sezon.

Duket ende larg fitorja e parë sezonale edhe për Leeds United, që këtë herë pësoi një tjetër disfatë me shifrat 1-2 me përmbysje përballë londinezëve të West Ham. Vendasit kaluan në avantazh me brazilianin Raphinia në minutën e 19’, por zhgënjyen totalisht në pjesën e dytë. Anësori i ardhur nga Barcelona, Junior Firpo shënoi një autogol në të 67-ën, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt, ishte sulmuesi kryesor i londinezëve, Antonio, që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për West Hamin.

Nuk pati fitues në sfidën mes Watford dhe Newcastle, me “qymyrxhinjtë” që gjetën të parët avantazhin dhe më pas vendasit barazuan me Sarr 18 minuta para fundit të lojës, për të marrë një pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA