Incidente në veri të Kosovës/ Digjen zyrat e regjistrimit të targave, Kurti akuzon Serbinë

25/09/2021 15:20

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve që ndodhet në komunën e Zubin Potok në veri të Kosovës u dogj gjatë natës së kaluar, ndërsa në qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan u hodh një granatë, që fatmirësisht nuk shpërtheu.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla i konsideroi incidentet si akte kriminale me elemente terroristë dhe theksoi se këto veprime tregojnë për nevojën e prezencës së Njësisë Speciale të Kosovës në veri.

Ndërsa kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti fajësoi drejtpërdrejt Serbinë, që sipas tij po nxit incidente në veri të Kosovës.

Sulmet të tilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen, shkruan Kurti në një postim në rrjetin social “Facebook”. Ky është provokim për “konflikt serioz ndërkombëtar, thotë ai.

Për të gjashtën ditë radhazi, pikat kufitare e Jarinjës dhe Bërnjakut në Kosovë janë të bllokuara. Protestuesit serb kundërshtojnë me ngulm reciprocitetin e targave, që i detyron ata të vendosin targa provizore “RKS” kur të hyjnë në territorin e Kosovës.

Top Channel