Salla e serverave në Kadastrën e Durrësit të zhvendosur tek Tirana Business Park në rrugën e Rinasit është përfshirë nga zjarri ditën e sotme.

Sipas informacioneve është djegur një prizë dhe nga rënia e alarmit janë alarmuar të gjithë punonjësit.

Nuk ka të lënduar dhe dëme materiale.

Kadastra e Durrësit është zhvendosur në Prezë të Tiranës, së bashku me agjencitë e Tiranës, Krujës dhe Kavajës më 12 korrik.

Kadastra e Durrësit ishte e vendosur në pronën e saj pranë një qendre tregtare, në lagjen 4 të qytetit, të ndërtuar në ish-ambientet e Fermentimit të duhanit , ndërsa është zhvendosur në ambiente me qira, në bazë të një vendimi të Bordit Drejtues të ASHK-së.

Kadastra e Durrësit  është kthyer prej vitesh në një institucion problematik për shkaqe të ndryshme në marrëdhënie me qytetarët, kalvari i atyre që kanë në proces çështjet e pronave të tyre pëson një tjetër goditje me këtë largim të shërbimeve kadastrale nga Durrësi, duke shtuar vonesat dhe sorollatjet në marrjen e shërbimeve të ndryshme që ofron kjo agjenci, që nga vërtetimet, certifikatat e pronësisë, planet e rivelimit, kopjet e kartelave të pasurisë së paluajtshme, apo konsultimit me to, fragmentimit të hartës kadastrale dhe një sërë shërbimesh të tjera të nevojshme për qytetarin në raport me pronën e vet apo çështjet e pronësisë që ka.

Top Channel