‘Shtëpia më me fat’ qëndron mrekullisht në këmbë, e rrethuar nga llava në La Palma (fotot)

24/09/2021 18:22

Ajo që po njihet tashmë si “shtëpia më me fat në botë” qëndronte sot çuditërish në këmbë në mes të panoramës së përvëluar nga llava e vullkanit të La Palma në ishujt Kanarie.

Imazhet e rralla tregonin shtëpinë në qytezën El Paríso që kishte mbetur e paprekur në mes të shkatërrimit, teka magma e vullkanit Cumbre Vieja ka shkatërruar deri tani 350 ndërtesa.

Çifti i pensionistëve danezë që banojnë aty thanë se janë “të lumturuar që qëndron ende në këmbë”, tha Ada Monnikendam, e cila e ka ndërtuar shtëpinë me bashkëshortin e saj.

“Ne nisën të qanim nga gëzimi kur na thanë që shtëpia jonë e dashur është e paprekur,” tha ajo për rrjetin vendas El Mundo.

Më shumë se gjysma e shtëpive dhe shkolla e zonës janë shkatërruar nga rrjedha e vazhdueshme e llavës.

Banorët thonin se çifti danez “nuk duan të flasin me askënd pasi nuk pushojnë dot së qari,” teksa ironikisht kishin zgjedhur La Palma prej panoramës së saj vullkanike.

Fqinjët e tyre shtonin se ata ishin “të trishtuar të dinin se shtëpia e tyre ishte në këmbë por askush nuk mund të kujdesej për të.”

Ndërkohë mijëra njerëz janë evakuar nga banesat e tyre duke lënë prapa gjithçka.

Shtëpia është e vendosur në faqen e një kodre më parë të gjelbëruar në ishullin e largët të oqeanit Atlantik.

Vendasit në La Palma mund të presin vetëm për të llogaritur dëmet teksa strehohen në banesa të përkohshme.

Qeveria e ishujve ka njoftuar planet për dy komplekse banimi për të mbeturit e pastrehë.

Lumi i llavës ka arritur ndërkohë në rreth 800 metra gjatësi. Shpejtësia e avancimit të saj është ngadalësuar por llava është trashur e forcuar, duke arritur deri në 10 metra lartësi në disa vende.

Shkencëtarët thonë se shpërthimi vullkanik mund të zgjasë deri në tre muaj, duke bërë që banorët të jetojnë me frikën e tërmeteve, gazeve toksike apo shiut acid.

Tashmë është e qartë që llava nuk do të arrijë deri në det, çka do të kishte sjellë të tjera probleme dhe shpërthime gazesh toksike.

Cumbre Vieja ka shpërthyer më parë në vitin 1949 dhe përsëri në 1971.

FOTO GALERI
3/4
Lumi i llavës ka arritur ndërkohë në rreth 800 metra gjatësi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA