Punësimet gjatë fushatës elektorale në Vaun e Dejës/ Gjykata e Shkodrës i jep të drejtë PD-së, kërkon nisjen e hetimeve

24/09/2021 11:39

Gjykata e Apelit në Shkodër i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike dega Vau Dejës, për akuzat e ngritura në prokurori për punësimet masive gjatë fushatës elektorale në territorin e Bashkisë Vau Dejës.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, kjo e fundit detyron Prokurorinë që të nisë hetime dhe të thërrasë në organin e akuzës personat përgjegjës dhe kryetarin e bashkisë Vau i Dejës si autore te punësimeve elektorale. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu foli për mediet pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Logu pretendon se ka zbuluar edhe prova konkrete që implikojnë administratën e bashkisë Vau i Dejës në këto punësime masive për fushatën elektorale të 25 prillit. Sipas tij, këto prova “janë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve dhe masakrës elektorale qe ka bërë partia në pushtet, por deklaroi se këto prova tashmë janë të depozituara në organet e drejtësisë”.

Në zgjedhjet e 25 prillit u përdorën punësimet masive, bursat e studentëve, fondet publike dhe paratë e taksapaguesve për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe për të sjellë fitoren e Partisë Socialiste në këtë bashki. Për shembull, në bashkinë Vau i Dejës ka njerëz të punësuar që as nuk jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë“, u shpreh përfaqësuesi ligjor i PD-së.

Top Channel