Protestë për bllokimin e rrugës në Elbasan/ Banorët e Krastës: S’kemi ku të kalojmë

24/09/2021 15:11

Për rreth 30 minuta banorët e lagjes Krastë të Elbasanit sot kanë bllokuar aksin nacional Elbasan-Librazhd në shenjë proteste për bllokimin e këtij nënkalimi ku e gjithë kjo lagje lidhet me aksin rrugor e për rrjedhojë me pjesën tjetër të qytetit.

ARRSH dy ditë më parë e mbylli këtë dalje për shkak të mosplotësimit të kushteve teknike dhe rrezikshmërisë që ajo sjell për banorët e kësaj zone, por edhe si shkak i aksidenteve të cilat nuk kanë munguar. Por banorët nuk kanë pasur asnjë njoftim e për pasojë, edhe pse janë dakord me rrezikshmërinë e kësaj dalje, ata kërkojnë një zgjidhje, qoftë për mjetet, të cilat duhet të kalojnë përmes kodër krastës, qoftë për kalimtarët të cilët e kanë të pamundur ta kalojnë ndryshe, këtë aks rrugor.

Është dashur ndërhyrja e policisë për të zhbllokuar aksin nacional ndërkohë që banorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat e tyre. Ata e kanë zhbllokuar forcërisht ndërhyrjen që ka bërë autoriteti rrugor shqiptar dhe pretendojnë se nuk do të ndalen derisa të gjendet një zgjidhje.
Pas dy ditësh nis shkolla dhe sipas banorëve, nxënësit e po ashtu edhe të moshuarit nuk kanë asnjë rrugë tjetër përveç këtij kalimi, edhe pse i rrezikshëm.

Top Channel