Profesori Përparim Kabo i ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel  ka folur për demokracinë në vendin tonë, ku thekson se demokracia në Shqipëri nuk funksionon sepse nuk ka garant.

Sipas profesor Kabos që të funksionojë demokracia, politikat e shtetit duhet të kenë në qendër interesin publik dhe jo atë të tregut dhe kapitalit, sepse demokracia dhe kapitalizmi nuk ndajnë të njëjtat parime.

Kabo: Edhe faktori ndërkombëtar që e ka ndihmuar Shqipërinë përmes mbështetjes monetare edhe në legjislacion e në forma të tjera të ndihmës, ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, apo në ngritjen e institucioneve të mirëfillta të një shoqërie të demokracisë liberale, ka harruar elementin më thelbësor, atë njerëzor. Dija qytetare te njerëzit tanë është shumë e ulët edhe në strukturë edhe në nënstruktura.

Rastet e shpagimit të drejtpërdrejtë që bëjnë njerëzit pa iu drejtuar ligjit, por vetëgjyqësisë tregon se jemi një shoqëri arkaike, e prapambetur. Nuk është punuar seriozisht për edukimin e vetëdijes demokratike dhe nuk është punuar seriozisht për atë që quhet komuniteti civil i ligjit.

Ne si shoqëri duhet të dalim nga gënjeshtra dhe që të dalim nga kjo duhet të krijojmë marrëdhënie me të vërtetën dhe t’i pranojmë të vërtetat siç janë. Duhet t’i vëmë pikat mbi i. Demokracia në Shqipëri nuk funksionon sepse nuk ka garant. Ty edhe mund të ti vjedhin votat, por nëse shkon në gjykatë që nuk e përligj vjedhjen ti nuk e fiton kurrë të drejtën. Duhet të respektojmë të drejtat dhe liritë e njeriut realisht, jo me propagandë. E drejta e jetës është e rrezikuar jo për vrasjet makabre, për aksidentet në rrugë, por për cilësinë e ujit që është jetik, të medikamenteve, ushqimeve. E drejta e pronës. E drejta e shprehjes, jo që unë flas dhe t’i s’më dëgjon, ose bën sikur më dëgjon.

Që të funksionojë demokracia, politikat e shtetit duhet të kenë në qendër interesin publik dhe jo atë të tregut dhe kapitalit, sepse demokracia dhe kapitalizmi nuk ndajnë të njëjtat parime. Kapitalizmi ka qëllim fitim, ndërsa demokracia të drejtat politike.

I pyetur për ndërhyrjet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe a jemi në momentin e përshtatshëm për ta rikonceptuar të tërë Kushtetutën, profesor Kabo tha: “Ndërhyrja në Kushtetutë është si një operacion i rrezikshëm në zemrën e njeriut dhe nuk mund të hyjë kushdo. Nuk mund të hynë kasapët, por konstitucionalistët dhe heqja apo amendimi i neneve të reja kryesisht për zgjedhjet dhe deri te ndërhyrja e fundit para disa viteve për Reformën në Drejtësi kanë çekuilibruar shumë struktura nene dhe parime të Kushtetutës. Prandaj ajo duhet riparë, por jo duke eliminuar eksperimentet me eksperimente, nuk bëhet brenda ditës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA