Messi mungon edhe ndaj Montpellier, e konfirmon Pochettino!

24/09/2021 19:48

Fillimi i Lionel Messit te Paris Saint Germain nuk ka qenë aspak për t’u vendosur në kornizë.

Në 3 ndeshjet e tij të para me parizienët mes ligës së parë franceze dhe Champions League, dy prej të cilave i ka nisur si titullar ylli argjentinas nuk ka arritur të lerë shenjë duke u ndalur te traversa. Ndryshe nga rivali i tij i madh Cristiano Ronaldo i cili e ka patur shumë thjeshtë përshtatjen pas rikthimit te Manchester United duke shënuar gola me peshë që në paraqitjet e tij të para, Messi ende nuk po ambientohet dot në kryeqytetin francez, dhe sikur të mos mjaftonte mungesa e golit, 6-herë fituesi i Topit të Artë pësoi edhe një dëmtim në sfidën ndaj Lyon që do ta mbajë jashtë fushave të futbollit edhe për disa ditë.

Pasi mungoi në sfidën e mesjavës ndaj Metz për kampionat ndeshje e fituar in-extremis nga Paris Saint Germain falë dy golave të Achraf Hakimit, Messi do të mungojë edhe në takimin e kësaj të shtune për Ligue 1 ndaj Montpellier. Në fakt argjentinasi u rikthye në stërvitje me parizienët këtë të premte, por ishte trajneri Mauricio Pochettino ai që konfirmoi mungesën e 34-vjeçarit në ndeshjen ndaj Montpellier, teksa në konferencën për shtyp para kësaj sfide deklaroi:”Leo ka filluar të vrapojë, shpresoj që të shkojë gjithçka në mënyrën e duhur, shpresojmë që të jetë gati për të luajtur në sfidën ndaj Manchester City-t në Champions, por duhet të jemi të kujdesshëm, të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme”, theksoi në fund trajneri argjentinas. Për Lionel Messin fillim më të vështirë te Paris Saint Germain nuk mund të kishte.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA