Drejtuesit e Borussias së Dortmundit e kanë të qartë se do të jetë shumë e vështirë që Erling Haaland të veshë fanellën verdhezi përtej sezonit aktual. Pavarësisht interesimit të Barcelonës, Realit të Madridit dhe Chelsea-t, klubi gjerman arriti ta mbante talentin norvegjez, por në fund të këtij sezoni situata do të ndryshojë.
Qershorin e ardhshëm hyn në fuqi klauzola e largimit të 21-vjeçarit, që zbret në shifrën 90 milionë euro. Skuadra e Chelsea-t, fituesja në fuqi e Championsit, ka hequr dorë nga Haaland, pasi siguroi shërbimet e Lukakut, megjithatë pritet të zhvillohet një ankand verën e ardhshme dhe në lojë do të futet edhe Liverpooli. Klubi që do t’i sigurojë pagën më të lartë sulmuesit dhe do të përmbushë edhe kërkesat e menaxherit Raiola.
Por shpresat për qëndrimin e Haalandit në Dortmund nuk janë venitur. Shefi ekzekutiv i verdhezinjve, Joakim Watzke, nuk e përjashton plotësisht mundësinë që Haaland të qëndrojë gjatë te verdhezinjtë.
“Sigurisht që do të jetë e vështirë. Nuk po them që është e pamundur. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbajtur lojtarët tanë kryesorë, besnikë ndaj nesh.”
Haaland shpërtheu fillimisht me Red Bull Salzburgun, duke shënuar 29 gola në 27 ndeshje. Që kur u transferua në Bundesligëm, te Dortmundi, ka treguar një formë të jashtëzakonshme, me 68 gola në 67 ndeshje në të gjitha garat. Potencialin e tij jonormal e ka shfaqur edhe në përfaqësuesen e Norvegjisë me 12 gola në 15 takime.
Top Channel