84 raste të reja dhe katër humbje jete nga COVID-19 në Kosovë

24/09/2021 16:26

Të premten në Kosovë janë shënuar edhe katër raste të vdekjes nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se numri i rasteve aktive me koronavirus aktualisht është 5.371.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se gjatë 24-orëve të fundit janë regjistruar edhe 84 raste të reja me COVID-19.

Shifra bazohet në 3.823 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.

Nga sëmundja janë shëruar 786 pacientë.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 159.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.923 persona kanë vdekur.

Më herët Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës njoftoi se trajtim mjekësor nga COVID-19 po marrin 421 pacientë. Prej tyre, 347 me oksigjeno-terapi dhe 40 në gjendje të rënduar shëndetësore në mjekim intensiv mjekësor.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovës, Arben Vitia, tha të enjten se Qeveria e Kosovës pritet të miratojë masat e reja kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19, në të cilat përfshihet edhe kërkesa për dëshminë e vaksinimit në hyrje të objekteve gastronomisë, qendrave tregtare dhe një sërë institucionesh publike dhe private.

Prej nisjes së fushatës së vaksinimit 474.783 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi.

Top Channel