Taksat po godasin më të varfrit! Pagat e ulëta po largojnë fuqinë punëtore nga Shqipëria

23/09/2021 15:29

Qeveria ka premtuar rritjen e pagës minimale që rezulton më e ulëta në rajon si dhe ndryshimin e pragjeve të taksimit për të ardhurat personale.

Por, me gjithë ndryshimet sërish ata që punojnë më shumë taksohen më shumë. As në mandatin e tretë, nuk u bë asnjë përpjekje për të taksuar kapitalin dhe barra të zhvendoset nga qytetarët e thjeshtë te kompanitë e mëdha.

Ky model taksimi ka krijuar pabarazi dhe po godet punëtorët me paga të ulëta dhe shtresën e mesme.
Kritikat vijnë nga ish-zëvendëskryministri Erion Braçe sipas të cilit qeveria duhet të ndryshojë shkallët e tatimit e të rrisë pagën minimale në 40 mijë lekë për të mbrojtur këto dy kategori.

Niveli i ulët i pagave dhe taksat e larta po bën që shumë sektorë të përballen me mungesë të fuqisë punëtore shton Braçe, veçanërisht ato më pak të paguarit në bujqësi, industri, ndërtim, tregti e shërbime, ku punonjësit e tyre paguhen më pak se paga mesatare mujore që sipas INSTAT llogaritet 56.7 mijë lekë.

Më shqetësuese shton Braçe është fakti se pjesa më e madhe e këtyre pagave që janë ndjeshëm më të ulëta se vendet e rajonit paguhen nga sektorë me norma të larta fitimi siç është ai i ndërtimit, ndërsa taksimi progresiv për të ardhurat nis për ato që tejkalojnë pagën aktuale minimale në 30 mijë lekë.

Veç kësaj, barra rritet më tej për individët me të ardhura deri në 2 milionë lekë në vit të ardhura dhe individët e dypunësuar që krahas taksave mbi pagën, duhet të paguajnë edhe tatimin për deklaratën vjetore të të ardhurave, ku për këtë kategori ka nisur të zbatohet prej këtij viti duke rënduar më tej xhepat e tyre.

Por, pavarësisht kësaj përjashtimet tatimore të ndërmarra nga qeveria vijojnë të favorizojnë kompanitë e mëdha që edhe pse duhet të mbajnë peshën më të madhe për detyrimet ndaj shtetit, paguajnë norma të ulëta taksimi.

deklaratat e tij në rrjetet sociale Braçe thotë se taksimi i ndershëm që mbron punëtorët dhe shtresën e mesme është një detyrim i Partisë Socialiste që duhet të marrë përsipër angazhimin ta ndryshojë atë sa më shpejt.

Top Channel