Prodhuesit e vaksinave Covid-19 Pfizer dhe BioNTech njoftuan zgjerimin e marrëveshjes së tyre me qeverinë amerikane për të siguruar 500 milionë doza shtesë të vaksinës Covid-19 për donacion.
Dozat e vaksinës do t’i sigurohen qeverisë me një çmim jofitimprurës për donacion për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe organizatat që i mbështesin ato. Qeveria amerikane do të japë doza vaksine për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme si dhe 55 shteteve anëtare të Bashkimit Afrikan.
Dorëzimet e 500 milionë dozave të para filluan në gusht 2021. Këto doza pritet të dorëzohen deri në fund të shtatorit 2022. Pfizer dhe BioNTech gjithashtu janë zotuar të sigurojnë dy miliardë doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në 2021 dhe 2022, të paktën një miliard në vit.
Përveç marrëveshjes së furnizimit me qeverinë amerikane, kjo përfshin marrëveshje të drejtpërdrejta të furnizimit me qeveritë e vendeve të veçanta dhe një marrëveshje të drejtpërdrejtë të furnizimit me COVAX për 40 milion doza në 2021.
Në përgjithësi, kompanitë kanë dërguar më shumë se 1,5 miliardë doza të vaksinës Covid-19 në të gjithë botën. Në nëntë muaj, Pfizer dhe BioNTech dorëzuan vaksinën Covid-19 në 130 vende dhe territore në çdo rajon të botës.
Top Channel