Gjykimi i Salih Mustafës, dëshmitari ndryshon deklaratat

23/09/2021 16:45

Dëshmitari i parë kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë, ku identitet nuk bëhet publik, ka jap deklarata të ndryshme në Hagë nga ato që kishte dhënë në vitin 2006 për UNMIK-un.

Atëherë ai i kishte thënë UNMIK-ut, se njëri prej personave që e mbante në Zllashë, mbante të veshur një maskë, ndërsa sot kur është pyetur nga kryetarja e trupit gjykues lidhur me këtë, ai ka thënë se nuk ka parë asnjëri me maskë në vendin ku pretendon se është mbajtur.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet edhe sot dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës, i cili po u përgjigjet pyetjeve të trupit gjykues, drejtuar nga kryetarja Mappie Veldt-Foglia.

Foglia: Ushtarët, a kishin maska, në vendin në Zllashë ku je mbajtur ti i ndaluar?

Dëshmitari: Jo

Foglia: Po ua bëjë këtë pyetje sepse në një moment të caktuar përpara UNMIK-ut në vitin 2006 juve thatë dhe do të ua jap përnjëherë referencën e deklaratës që kishit bërë, që kishte një person që kishte vënë një maskë që ua vendosi revolverin, pistoletën…Të lutëm a na shpjegon dot pse ke thënë atëherë, që se mban mend datën sigurisht, që kishte një person që kishte vesh maskën?

Dëshmitari: Nuk e mohoj ndoshta kam thënë por prapë po them nuk besoj që ka pasur maskë, nuk kam mundur me vërejt me maskë se nuk kam mundur me këqyr.

Kryetarja e trupit gjykues ka insistuar të marrë një përgjigje nga dëshmitari se pse i njëjti sot po deklaron diçka tjetër nga ajo që ishte përgjigjur në vitin 2006, për të njëjtën pyetje.

Foglia: Këtu unë jam për duke u përpjekur të kuptoj pse në atë periudhë kohe ti ke thënë që personi e kishte maskën, ndërkohë tani po thua ‘jo nuk mendoj që ky personi ka pasur të veshur maskën’. Pra e kuptoj përgjigjen që thua ‘tani unë mendoj që ai nuk e ka pasur maskën’ dhe pyetja ime është pse ke thënë ndryshe në 2006-ën përpara UNMIK-ut?

Dëshmitari: Kam harru, ndoshta kam thënë, por tash po them po mendoj tash nuk e kam parë me maskë.

Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës i cili mban kodin Ë03593 dhe po dëshmon që prej datës 20 shtator në Dhomat e Specializuara, derisa ishte përgjigjur pyetjeve të prokurorit, kishte thënë se personat që e kanë mbajtur nuk i kishin fytyrat e mbuluara.

Në seancën e sotme, gjykatësja ka pyetur dëshmitarin edhe për periudhën kur është liruar nga mbajtja në Zllashë, ku gjithashtu ka dhënë deklaratë të ndryshme nga ajo që i është përgjigjur UNMIK-ut.

Foglia: Ti the se pas një muaji e mësove se kish ishte personi përgjegjës atje, ndërkohë që përpara UNMIK-ut (2006) ke thënë që nuk e dije se kush ishte personi mbikëqyrës, a mund të na shpjegosh pak këtë gjë të lutëm?

Dëshmitari: Pas një muaji e kam vërtetuar se kush ishte ai personi që ka qenë kryesor aty.

Foglia: Por në 2006-ën ti ke thënë nuk e di se kush ishte kryesori atje. Pra pyetja ime është pse nuk e ke thënë atëherë ti që ke dëgjuar një muaj pasi u lirove nga aty kush ishte.

Dëshmitari: Ndoshta nuk kam thënë, nuk e di, kam harru çka kam thënë me të thënë të drejtën me më vet dje çka kam folur nuk e di çka, kush më ka vet aty ka 200 herë, ndoshta kam gabuar, nuk e mbaj mend, por pas një muaji e kam marrë vesh personin kush ka qenë ai.

Foglia: Zoti dëshmitar, në vitin 2006 ti ke thënë se nuk e dijë kush është personi, a do të thotë kjo se nuk po thoshe çdo gjë që dije rreth situatës në 2006 por duket ti e dije por u ke thënë atyre që nuk e dije, thjesht dua ta kuptoj pse ke thënë dy gjëra të ndryshme, sepse dikush, nuk po them që e them unë, por dikush mund të thotë që ti ke gënjyer pse nuk e ke thënë kush ishte personi në 2006-ën.

Dëshmitari: Nuk po them që nuk kam thënë, nuk e di, ndoshta kam harru me thënë drejtë, pastaj më ka ra mend që pas një muaji e kam mësuar, kjo është e vërteta.

Foglia: Mbase mos ke pasur frikë të thuash të vërtetën?

Dëshmitari: Jo nuk kam pasur nevojë me pas frikë, për çka, unë kam ardhur këtu me thënë të vërtetën jo me rrejt, nuk kam nevojë.

Tutje, në këtë seancë gjyqtarja ka pyetur dëshmitarin nëse njerëzit në Zllashë e dinin se ekzistonte një vend ku mbaheshin persona të ndryshëm, për çka dëshmitari tha se përgjatë kohës sa ai është mbajtur nuk ka mundur të dijë askush.

Foglia: A dihej publikisht se në Zllashë kishte një vend ku i dërgonin njerëzit aty për me i marrë në pyetje dhe me i mbajt të ndaluar aty, e dinin njerëzit?

Dëshmitari: Brenda asaj kohe nuk ka mundur me ditë askush.

Kryetarja e trupit gjykues i ka treguar tre fotografi dëshmitarit ku vetëm në njërën prej tyre ai ka deklaruar që mendon se e njeh një prej personave aty.

Seanca po vijon e mbyllur me kërkesë të kryetares së trupit gjykues, ndërsa i akuzuari Salih Mustafa është prezent në sallën e gjyqit.

Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali”, është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA