Në Angli rikthehen tifozët në këmbë në stadium. Klubet e Premier League, mund të ofrojnë zona të autorizuara ku tifozët mund të qëndrojnë në këmbë, duke nisur nga 1 janari 2022.

Autoriteti i sigurisë në fushat sportive ka prezantuar zyrtarisht planin përkatës. Përfshirja e këtyre zonave të sigurisë i jep fund, në këtë mënyrë, ndalimit të përgjithshëm për të qëndruar në këmbë në dy divizionet e para të futbollit anlez, rregull që ishte në fuqi prej më shumë se 25 vjetësh.

Klubet duhet të bëjnë kërkesë për të qenë pjesë e këtij programi brenda 6 tetorit dhe, nëse autorizohen, mund të menaxhojnë një zonë për tifozët në këmbë, duke nisur nga viti i ri e deri në fund të sezonit. Autoriteti i sigurisë në stadiume bëri të ditur se projekti do të vlerësohet në mënyrë të pavarur për secilin klub, me të gjitha zonat e tjera të terrenit që do të jenë të zëna. Zonat për të qëndruar në këmbë në Premier League dhe në Championship kanë qenë të ndaluara që nga legjislacioni i aprovuar pas katastrofës së Hillsborough të vitit 1989, ku humbën jetën 97 tifozë të Liverpoolit.

Rikthimi i zonave të autorizuara për të qëndruar në këmbë vjen pas impenjimit të shprehur nga qeveria që në manifestin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2019, dhe është një zgjedhje që është kërkuar me insistim nga forcat politike në Angli. Ministri i sportit, Nigel Huddleston, deklaroi: “Kemi qenë të qartë mbi faktin se do të punonim me tifozët dhe klubet për të prezantuar një zonë të sigurt për qëndrimin në këmbë në impiantet e futbollit. Tani është momenti i duhur për të bërë progres. Presim të dëgjojmë klubet që dëshirojnë të bëhen pjesë e programit tonë”.

Klubet duhet të përmbushin një seri kriteresh për të marrë aprovimin. Duhet, për shembull, që të kenë infrastrukturën e nevojshme në zonat në shtëpi dhe në transfertë, duke iu mundësuar tifozëve që të qëndrojnë në këmbë në zonat e autorizuara me ndenjëset që nuk duhet të jenë të bllokuara në pozicionet poshtë apo sipër, duke garantuar që zonat të mos ndikojnë në shikueshmërinë për tifozët e tjerë. Klubet duhet gjithashtu të hartojnë një kod sjelljeje për tifozët në këmbë dhe të konsultohen me grupet relative për sigurinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA