Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Dëshmitari i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun, është përgjigjur në pyetjet e prokurorit rreth njësisë BIA, fshatit Zllashë dhe Salih Mustafës, por pjesa më e madhe e seancës është zhvilluar e mbyllur për publikun.
Dëshmitari ka thënë se përveç Brigadës 153, në Zllashë e kanë pasur selinë edhe Zona e Operative e Karadakut dhe njësia e njohur “Skifterët”.
Dëshmitari: Komandant i Njësisë BIA ishte Salih Mustafa me pseudonimin Cali
“Përveç brigadës 153 ka qenë Zona Operative e Karadakut dhe njësia India, Skifterët. komandant i Njësisë BIA ishte Salih Mustafa. (”Salih Mustafa a njihej me ndonjë emër tjetër, nofkë ose pseudonim’-ka pyetur prokurori). Po, me pseudonim Cali”, është përgjigjur dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se njësia BIA ka qëndruar në Zllashë deri në kohën e bombardimeve, për të cilën ka shtuar se e ka pasur bazën tek lagja e Sfarçve
Dëshmitari: Njësia BIA e ka pasur bazën të lagja e Sfarçve siç i kemi quajt
“Njësia BIA e ka pasur bazën të lagja e Sfarcve siç i kemi quajt ne përpara, Krasniq janë”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se ka qenë në bazën e BIA-s, kur është pyetur nga prokurori nëse ndonjëherë ka qenë në atë vend.
Prokurori: A ke shkuar ti ndonjëherë në bazën e njësisë BIA?
Dëshmitari: Po, kam shku
Prokurori: A ke mundësi të përshkruar për trupin gjykues si ishte e organizuar njësia BIA, nuk është se po kërkoj diçka të hollësishme por na përshkruaj me fjalë të përgjithshme ku gjendej njësia BIA?
Dëshmitari: Po filloj prej shtëpisë së Fatmir Sopit ku ka qenë përpara baza, është shkolla dhe vazhdon rruga përpjetë deri të baza e tyre ku ka qenë.
Prokurori: Baza e Njësisë BIA ishte vetëm në një ndërtesë apo kishte më shumë sesa një ndërtesë aty?
Dëshmitari: Ka pasur më shumë ndërtesa ka qenë një familje e madhe që ka pasur më shumë ndërtesa por ndërtesa të vjetra.
Në seancën e parë ku po dëgjohet dëshmitari i dytë është përmendur edhe Agron Xhemajli, për të cilin dëshmitari ka thënë se ka qenë shefi i shërbimit informativ në brigadën 153.
Prokurori: Në çfarë brigade bënte pjesë Agron Xhemajli?
Dëshmitari: Agron Xhemajli ka bërë pjesën në Brigadën 135, sa e di unë ka qenë shef i shërbimit informativ në brigadë.
Prokurori: Çfarë roli ka pasur shërbimi informativ brenda brigadës 153?
Dëshmitari: Saktë nuk e di çfarë roli ka pasur, shërbim informativ dihet çfarë shërbimesh kryen…
Prokurori: Ju thatë informacione, për çfarë e ke fjalën, për mbledhje të informacionit. Agron Xhemajli a ka pasur kompetencë të urdhërojë arrestimin e dikujt?
Dëshmitari: Nuk e di unë, Agroni Xhemjali ka marrë urdhra prej shtabit të zonës, jo prej shtabit të brigadës
Prokurori: A ishte pjesë e kompetencave të tij që të urdhëronte arrestimin e dikujt?
Dëshmitari: Sigurisht po.
E mbyllur është zhvilluar pjesa më e madhe e seancës ku po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtur ndërkohë në rastin e Salih Mustafës.
Seancën e sotme Salih Mustafa e ka përcjell fizikisht në sallën e gjyqit.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm/KosovaPress/
Top Channel