Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me të cilët biseduan lidhur me projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen.
Në këtë takim ishin Pierre Heilbronn, zv. president i BERZh për Politika dhe Partneritet, Jens Lundsgaard, drejtor i bordit për Danimarkë, Lituani, Irlandë, dhe Kosovë, Oleg Levitin, zv. drejtor i Qeverisjes dhe Çështjeve Politike, si dhe Neil Taylor, udhëheqës rezident i zyrës së BERZh në Kosovë
Kryeministri Kurti theksoi se BERZh mbetet një ndër partnerët kryesor zhvillimor, gjë që u dëshmua edhe me përgjigjen e shpejtë për reagim ndaj situatës me pandeminë COVID-19 përmes projektit emergjent të Infrastrukturës Vitale për Ndërmarrje Publike.
Kurti shtoi se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë ka qenë kruciale në ballafaqimin tonë me pandeminë, si rezultat i të cilit, së bashku me masat e qeverisë kundër pandemisë dhe Pakon e Ringjalljes së Ekonomisë, presin një rritje dhe performancë pozitive ekonomike në muajt në vijim.
“Gjatë bisedës, u vu theksi te bashkëpunimi potencial drejt digjitalizimit, ndërlidhjes së aftësimit profesional me tregun e punës, burimeve të ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë. U diskutua edhe për strategjinë e re 5 vjeçare të BERZh-it për Kosovën. Vëmendje e theksuar iu kushtua edhe planit për zhvillimin e sektorit privat. Duke marrë parasysh ekspertizën e Bankës dhe stabilitetin e tanishëm institucional në vend, kryeministri Kurti theksoi se ky plan do të kontribuonte në përmbushjen e qëllimeve afatgjate të Qeverisë dhe të përshpejtojë ringjalljen ekonomike nga pandemia”, tha ai.
Top Channel