Kryeministri Albin Kurti ka folur sot rreth tensioneve të fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet nga Serbia që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ai gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit të  Shqipërisë, Lindita Nikolla, ritheksoi se vendimi për targat e Serbisë është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.

“Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, tha Kurti, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

Lidhur me situatën aktuale kryeministri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon.

Ndërsa, kryekuvendarja Nikolla tha se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Ajo e falënderoi kryeministrin Kurti për ndihmën që shteti i Kosovës ia ka ofruar Shqipërisë gjatë tërmetit të gati para dy vjetëve dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve që shpërthyen shkaku i temperaturave të larta.

Kurti ndërkaq përgëzoi Nikolla për zgjedhjen kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe u pajtua që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse siç tha ai, janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb. Po ashtu tha se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

Top Channel