Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, në vizitën e saj të parë në Kosovë, ka deklaruar se Shqipëria do të intensifikojë dhe do të përdorë të gjitha organizmat ndërkombëtarë ku ajo bënë pjesë që të ngrihet zëri për gjenocidin që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
Nikolla që është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se Kosova dhe Shqipëria, duhet të punojnë më shumë në forumet ndërkombëtare që krimet serbe të bëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të bindet që Serbia ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
E para e Kuvendit të Shqipërisë, tha se duhet të ketë bashkëpunim edhe sa i përket procesit të njohjeve të reja për Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave, derisa theksoi se destinacioni i Kosovës dhe Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
E pyetur se meqenëse Kosova nuk ka ulëse në OKB, a mund ta ketë mbështetjen nga Shqipëria që përmes saj të bëhet padia për gjenocid ndaj Serbisë, Nikolla tha se Shqipëria do të përdorë të gjitha mekanizmat ku bënë pjesë që të dihet gjenocidi që Serbia ka kryer në Kosovë.
Sa i përket dialogut, Nikolla tha se Shqipëria e vlerëson rihapjen e dialogut dhe se është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë.
Nikolla që vizitën e parë pas marrjes së detyrës së kryetares së Kuvendit e bëri në Kosovë, u shpreh se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e punës së saj.
Ndërkaq, tha se janë dakorduar me Konjucën që të nxisin bashkëpunimin mes dy Kuvendeve dhe të instrumentalizojnë mbledhjet e përbashkëta të drejtuesve të komisioneve parlamentare të të dyja shteteve.
Top Channel