Gazetari Dritan Hila ka komentuar situatën e krijuar në Kosovë në kufirin me Serbinë, pas vendosjes së reciprocitetit ndaj targave të Serbisë, pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit më 15 shtator.
I ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, Hila tha se kjo situatë i duket më tepër si pretekst nga të dyja palët për të ndezur sherret.
Hila: Më duket një veprim i ndrojtur i qeverisë Kurti. Më duket shumë thelbësore në drejtim të pavarësisë së Kosovës. Është një nga pikat e marrëveshjeve që kanë bërë qeveritë e mëparshme të Kosovës dhe më duket më tepër si pretekst nga të dyja palët për të ndezur sherret. Kemi të bëjmë nga të dyja krahët me populistë. Populist është Vuçiç, njësoj dhe Kurti. Nuk më duket ndonjë veprim agresiv i qeverisë Kurti vendosja e targave të përkohshme që duhej bërë edhe më para. Përgjigja serbe ishte agresive.
Vendosja e trupave speciale në kufi është një veprim i keqpërdorur, për të hequr edhe frustracionin tonë që kemi ndaj disavantazhit ushtarak që kemi në përballje me Serbinë.
Edhe këta serbët që dalin aty në kufi janë të paguar nga Beogradi dhe janë si trupat e gatshme të mitingazëve që thonë dilni aty bllokoni, dalin, tërhiquni, tërhiqen, digjni ndonjë makinë e djegin. Problemi real është që Serbia nuk do të eci para në njohjen e Kosovës si shtet. Maksimumi po arrin t’i japi të drejta sa një Republikë e ish Federatës Jugosllave, ndërsa Kurti nuk po shoh që po avancon saç pretendoi gjatë fushatës elektorale.
Top Channel