Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen virtuale të kampit ndërkombëtar veror “Edu Camp“ 2021, ku po marrin pjesë mbi 100 nxënëse dhe nxënës nga Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
“Progresi që po përjetojmë sot është bërë i mundur vetëm falë dijes. E shkollat dhe universitetet janë vendi ku prodhohet dija. Pikërisht për shkak se progresi është i lidhur ngushtë me dijen, ne besojmë se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe si e tillë duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim. Prandaj edhe kemi marrë vendimin që edukimi publik në Kosovë në të gjitha nivelet të jetë falas,” tha në hapje kryeministri Kurti.
Duke falënderuar organizatorët, mësuesit dhe ligjëruesit nga Kosova dhe Gjermania, kryeministri vlerësoi programet si ky kamp, pasi ndihmojnë të rinjtë të zhvillohen jo vetëm si individë, por edhe ta kuptojmë rolin në shoqëri.
“Është misioni ynë që së bashku të përmirësojmë vazhdimisht sistemin tonë arsimor, të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë, “ tha kryeministri Kurti
Top Channel