Defektet e programit të qeverisë Rama/ Ekspertët: Nuk zgjidh problemet. Nuk tregon si do rritet ekonomia

20/09/2021 19:39

Programi i qeverisë “Rama 3” nuk adreson problemet reale të ekonomisë shqiptare e as nuk identifikon burimet e rritjes.

Të këtij mendimi janë ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve më emergjent mbetet emigracioni i të rinjve, që edhe në këtë plan qeverisës mungonte një strategji për frenimin e tyre.

“Nëse ti i thua shqiptarëve që do rritet ekonomia me 4.5% në vit më thuaj si? Ekonomia ka disa komponentë që prodhojnë rritje më thuaj si? Cilat janë problemet që ka shoqëria shqiptare që janë evidente: E para korrupsioni, e dyta kriza e ikjes së shqiptarëve, vëmë re më pak studentë regjistrohen, më pak njerëz për t’u punësuar. Sistemi arsimor shqiptar. këto janë plagët më të mëdha që ka shoqëria shqiptare. Unë nuk i pashë ato në program”, u shpreh Rezart Prifti, ekspert për ekonominë.

“Është një dokument sipërfaqësor, i cekët që për mua reflekton mosnjohjen e realitetit ekonomik e social që ka vendi. i prek të gjitha fushat nga pak, duket që ka fokus, duket që energjia, infrastruktura dhe turizmi do jenë në fokus të politikave mbështetëse në 4-vitet e ardhshme. Drejtim i duhur për mua që do sjellë efekt në rritjet ekonomike. themi do kemi modernizim të arsimit dhe si prioritet është i drejtë por nuk identifikohet se si do zgjidhen këto problematika shumë të ndjeshme në Shqipëri”, tha Enea Janko, ekspert për ekonominë.

Ekspertët janë skeptikë për një ulje të borxhit publik nën 60% siç është zotuar ekzekutivi. Ndër të tjera, ata propozojnë një ristrukturim të plotë të ekonomisë.

“Tenton të ulësh borxhin publik kur sapo ke dhënë porosi për të emetuar një borxh gjysmë miliardi euro? Kjo duket pak si paradoks. Nuk duhet të orientohet ekonomia shqiptare që të ketë bujqësinë si prioritet. Duhet investohet në burimet njerëzore dhe në prodhimin e shërbimeve. Është koha që ne ti vëmë një strategji të vërtetë turizmit sepse kemi një kapacitet të frikshëm të pashfrytëzuar”, tha Rezart Prifti, ekspert për ekonominë.

“Për sa kohë premtimet janë të shumta, do rrisim pagat, do bëjmë investime nuk besoj se do ketë ulje të borxhit. kalimi i nga fasonët në produktet ‘Made in Albania’ reflekton një mosnjohje të tregjeve rajonale dhe ndërkombëtare. Nuk mund të konkurrojmë me produkte të tilla në tregjet ndërkombëtare dhe ndërkohë do ishte mirë të merreshim me gjëra që ne mund t’i bëjmë”, tha Enea Janko.

Me gjithë angazhimin e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit, ekspertët vlerësojnë se edhe në këtë program mungonte ndër të tjera edhe një plan për thithjen e investimeve të huaja në vend.

Top Channel