Ish zëdhënësja e ish kryeministrit Sali Berisha, Erla Mhilli ka debatuar me analistin Ilir Yzeiri në emisionin “Top Talk” për nismën e qeverisë për krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim.
Mhilli tha se është tipar i regjimeve autokratike, ndërsa Ilir Yzeiri e pyeti se ku e sheh problemin ndërsa shtoi se nisma nuk duhet paragjykuar.
Erla Mhilli: Ky është tipar i regjimeve autokratike. Nuk nuk ia diktojmë dot qeverisë se për cfarë ka interes. Nëse në interes të saj është propaganda, atëherë është detyra e medias të shkojë përtej kësaj. Axhendën të mos na e përcaktojë qeveria dhe informacionin ta zhvillojmë ne më tej, jo ta marrim të gatshme apo të na sjellë qeveria.
Ilir Yzeiri: Nuk është hera e parë që dëgjohen këto konstatime. Kemi dëgjuar dhe të tjera. Unë nuk i përkas kësaj kategorie që paragjykon një veprim ose paragjykon nusen pa e parë se si do të nusërojë. Unë në këtë rast mbështes atë ide që qeveria po bën përpjekje të riorganizohet në mënyrë të tillë që të ketë një produkt…
Erla Mhilli: Ne kemi 8 vjet që e shohim nusen se si nusëron. Nuk është nuse e re në shtëpinë tonë.
Ilir Yzeiri: Për mua është nuse e mirë dhe për ata shqiptarë besojnë se ka nusëruar shumë mirë.
Erla Mhilli: Për propagandën po. Nëse kjo qeveri ka bërë diçka mirë, është propaganda.
Ilir Yzeiri: Ajo propaganda që kishim para kësaj na çoi tek Gërdeci e shumë gjëra të tjera. Nuk besoj se u vjen keq shqiptarëve nëse kryeministri publikon një video nga punët e mira që bën. Nëse ka një armë të fortë kjo qeveri, është komunikimi publik.
Top Channel