​Osmani: Politika agresive e Serbisë ndaj Kosovës, kërcënim për sigurinë rajonale

20/09/2021 22:46

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se politika agresive e Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës, e nxitur nga politika ruse, paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë rajonale.

Ajo gjatë një takimi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda, ka thënë se bota demokratike duhet të rreshtohet në mbrojtje të vlerave evropiane të rajonit të Ballkanit, ndërsa shprehu qëndrimin e Kosovës për thellim të partneritetit me vendet demokratike për të parandaluar kërcënimet ruse dhe atyre serbe ndaj sigurisë nacionale.

Në këtë takim, presidentja Osmani dhe ai i Lituanisë diskutuan për raportet e mira ndërmjet vendeve tona. Presidentja e falënderoi Lituaninë për përkrahjen e pa rezervë që ky vend i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve.

“Ne e kujtojmë përkushtimin e vendit tuaj për ta ndërtuar paqen dhe për ta lehtësuar shtetndërtimin në Kosovë”, tha presidentja Osmani. “Por, ne vazhdojmë ta kujtojmë edhe dhimbjen për vrasjen e doganierit lituanez, Aurius Senavicius, gjatë një aksioni në veri të vendit, 8-vjetorin e vrasjes së të cilit e kujtuam dje”.

Presidentja e Kosovës dhe ai i Lituanisë diskutuan edhe për sfidat me të cilat përballen dy vendet tona. Në mënyrë të veçantë, bashkëbiseduasit u përqendruan në sfidat e sigurisë, të cilat e kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe atë të Baltikut.

Osmani i kërkoi homologut të saj lituanez që Lituania të vazhdojë ta përkrahë anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nisma të rëndësishme ndërkombëtare.

“Ne presim që BE-ja të na përkrahë në synimet tona, në përputhje edhe me obligimet që burojnë nga MSA-ja, sipas së cilës BE-ja duhet ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, theksoi presidentja Osmani.

Top Channel