Gjatë periudhës së pandemisë, në Kosovë është rritur kërkesa për floririn.
Duke tani konsiderohet më i sigurt sidomos për periudhën afatgjatë. Gona Zeka nga qyteti i Prishtinës tha për REL se kishte blerë këtë vit sende ari me vlerë gati 700 euro. Ajo e konsideron një lloj pasurie të kursyer për fëmijët e saj në të ardhmen.
“Blerja e arit është investim dhe në rast nevoje ka mundësi edhe të shitet, e vlera financiare nuk i bie”, është shprehur ajo. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë këtij viti ka pasur rritje të ndjeshme të importit të këtij metali të çmuar. Nga janari i këtij viti e deri në gusht, janë importuar mbi 72 kilogramë apo rreth 30 kilogramë më shumë sesa vitin e kaluar. Importet kryesisht kanë qenë nga Turqia dhe Italia.
Një kilogram ari, sipas ekspertëve në Kosovë, shkon tek 49,000 euro. Ata thonë se floriri si pasuri ka një likuiditet dhe stabilitet më të madh çmimi, ndaj qytetarët dhe shtetet që nuk duan të rrezikojnë, orientohen drejt tij si aset financiar. Bindjen e tyre e ushqen edhe më shumë fakti që gjatë dekadës së fundit, kuotimi i arit ka qenë mjaft i stabilizuar dhe njerëzit kanë krijuar besim.
Top Channel