Pezullimi i vizitave në Kosovë/ Shoqata e pacientëve kërkon hetim dhe kompensim për shërbimet në privat

19/09/2021 20:02

Pezullimi i shërbimeve jo urgjente në klinikat dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, po konsiderohet shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Pacientët po përballen edhe me kosto të larta pasi shërbimet mjekësore, po detyrohen t’i marrin në spitalet private. Shoqata e Pacientëve të Kosovës po kërkon hetim. Avokati i Popullit, Naim Qelaj thotë se vendimet po merren pa bazë ligjore.

“Duhet me pas kujdes reduktime dhe kufizime të tilla të të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhen vetëm nëse janë të përcaktuara me ligj. Duhet me iu dhënë mundësi alternative qytetarëve që kanë nevojë për shërim dhe trajtim spitalor e që nuk janë të infektuar m COVID. Në asnjë moment qytetari nuk duhet me e lënë pa asnjë mundësi në rast se nuk ofrohen shërbime specialistike të tilla mund të ofrojnë sektorët tjerë ose në forma të tjera por të mbuluara dhe koston e tyre duhet ta mbulojnë institucionet”, u shpreh Naim Qelaj.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra thotë se pacientët duhet të kompensohen nga Qeveria e Kosovës.

“Ne konsiderojmë se ndërprerja e shërbimeve shëndetësore në këtë fazë duke pasur edhe konstatim të avokatit të popullit se kjo është shkelje konsideroj se kemi të bëjmë me një ndërprerje të kundërligjshme e cila meriton një hetim sepse qytetarët janë në hall duke dëmtuar nga mosmarrja e shërbimeve nga institucionet publike, por nuk janë duke u kompensuar nga qeveria për shumat marramendëse të parave që shfrytëzojnë në marrjen e shërbimeve shëndetësore në institucionet private”.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk ka një datë se kur mund të rikthehen këto shërbime.

Top Channel