Shqipëria ka arritur në nivele historike të borxhit publik. Dy fatkeqësitë natyrore, si tërmeti dhe pandemia kanë ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e këtij indikatori.

Në fund të 2020-ës, të dhënat tregojnë se borxhi publik arriti në rreth 77.8% të Prodhimit Kombëtar, ndërsa në fund të këtij viti parashikohet të arrijë në 80%. Ministria e Financave ka bërë publike planet e saj për të marrë edhe 500 milionë euro të tjera, ku një pjesë e tyre do të shkojë për shlyerjen e eurobondit të 2020-ës.

Ky ritëm i rritjes së borxhit duhet të ndalojë sipas ekspertit Ceko, ndryshe pasojat mund të jenë të mëdha:

“Në pesë vitet e fundit borxhi është rritur me diku tek 3 mld lekë. Kjo duhet të ndalojë. Shqipëria nuk ka luksin të marrë borxh, sepse edhe borxhin e brendshëm e ka të tmerrshëm. I detyrohet shumë para edhe qytetarëve të saj, para që mund të ishin investuar në ekonomi”.

Ndërkohë në prezantimin e programit qeverisës, kryeministri u shpreh se borxhi publik do të ulet në 60%. Sipas ekspertit Ceko premtimi i Ramës nuk është realist. Nga njëra anë për të arritur objektivin qeveria ka ulur shpenzimet publike, por sipas ekspertit Ceko ka edhe një mënyrë tjetër më efektive:

“Duhet që kompanitë shqiptare të gjejnë avantazhin konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Është e vetmja mënyrë, që vendi ynë të ndërtojë një ekonomi të fortë dhe solide”.

Top Channel