Milioneri amerikan i pronave shpallet fajtor për vrasje (fotot)

18/09/2021 16:30

Manjati amerikan i pronave Robert Durst, më parë protagonist i një dokumentari krimi të rrjetit HBO, është shpallur fajtor për vrasjen e mikeshës së tij të ngushtë Susan Berman.

Durst është shpallur fajtor për vrasjen e Berman në 2000 me qëllim që ta ndalonte të fliste me policinë për zhdukjen e gruas së tij.

Asokohe 55 vjeçarja u gjet e qëlluar për vdekje në kokë në shtëpinë e saj në Beverly Hills.

Ironikisht në fund të dokumentarit The Jinx, Durst dëgjohet që mërmërit me vete: “Çfarë dreqin kam bërë? I vrava të gjithë sigurisht.”

Disa orë para transmetimit të episodit të fundit, autoritetet arrestuan Durst në New Orleans për vrasjen e Berman.

Prokurorët kanë quajtur më parë 78 vjeçarin Durst, një “psikopat narcizist” që do të kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg.

Susan Berman ishte një autore romanesh krimi, dhe ka qenë zëdhënëse për Durst kur ai u bë i dyshuar për zhdukjen e gruas së tij.

Gruaja e Durst, Kathleen Mcormack, e cila studionte për mjekësi, u zhduk në 1982 dhe supozohet e vdekur.

Pak pas verdiktit të djeshëm, familja e saj lëshoi një deklaratë ku nxiste prokurorët e New York të hetonin Durst.

“Sistemi i drejtësisë së Los Angeles më në fund po i shërben familjes Berman. Tani është koha të bëjë këtë dhe për familjen Mcormack,” thanë ata.

Prokurorët argumentojnë se në fakt milioneri Durst ka vrarë të paktën tre njerëz, më i fundit një fqinj i moshuar Morris Black, i cili kishte zbuluar identitetin e Durst në 2001 kur ai fshihej në Texas.

Financieri i fuqishëm i shpëtoi akuzës për vrasjen e zotit Black, duke bindur gjykatësin se e kishte vrarë për vetëmbrojtje, dhe më pas kishte copëtuar trupin e tij.

Durst kishte qenë më parë anëtar i elitës së më të pasurve të fuqishmëve të pronave të patundshme në New York.

Vëllai i tij Douglas Durst, i cili dëshmoi në gjyq, tha: “Ai deshiron të më vrasë edhe mua.”

Durst pritet të marrë dënimin më 18 tetor.

FOTO GALERI
2/5
Durst eshte i dyshuar kryesor dhe per zhdukjen e gruas se tij Kathleen Mcormack ne 1982

Top Channel