Nëna sakrifikohet por shpëton dy të vegjlit duke i ushqyer me gji pas 4 ditësh të humbur në det (fotot)

17/09/2021 15:31

Nëna e dëshpëruar e dy fëmijëve raportohet se kishte pirë urinën e saj për të mbajtur gjallë dy fëmijët, gjatë katër ditëve të humbur në det pas një aksidenti tragjik me barkën e shëtitjes.

40 vjecarja Mariely Chacon, u sakrifikua për të shpëtuar jetën e djalit gjashtë vjeçar dhe bijës dy-vjeçare teksa përpiqej t’i rezistonte dehidratimit në ditët në det të hapur dhe diellin përvëlues pas aksidentit.

Dy fëmijët e saj u gjetën të kapur pas trupit të vdekur të së ëmës, ndërsa dadoja e tyre 25-vjeçare Veronica Martinez u gjet brenda një frigoriferi qe pluskonte, ku ishte futur për t’i shpëtuar nxehtësisë.

Pesë njerëz të tjerë, duke përfshirë Remis David Camblor, bashkëshortin e Mariely dhe baba i fëmijëve, janë ende të humbur.

Ata ishin nisur nga brigjet e qytetit Higuerote në vendin e tyre Venezuelë, për të shkuar drejt ishullit të vogël La Tortuga në Karaibe më 3 shtator, por nuk arritën kurrë aty. Operacioni i gjerë i kërkimit që pasoi solli në gjetjen  e tre të mbijetuarve në një gomone të improvizuar, dhe transferimin e tyre në spital.

Dy fëmijët dhe dadoja u dërguan në spital për trajtim nga djegiet dhe dehidratimi.

Zyrtarët konfirmuan se Mariely, e cila vdiq nga dështimi i organeve prej dehidratimit, kishte mbajtur fëmijët gjallë duke pirë urinën e saj për t’i ushqyer me gji.

Autoritetet konfirmuan se fëmijët, Jose David e Maria Beatriz Camblor Chacon, do të mbijetojnë edhe pse vuajnë nga plagët dhe stresi i rëndë post-traumatik nga ngjarja.

Kërkimet vazhdojnë për gjetjen e të humburve të tjerë por shpresat po shuhen shpejt.

Autoritetet bregdetare të Venezuelës konfirmonin ngjarjen në një deklaratë: “Mëngjesin e 3 shtatorit barka turistike Thor Higuerote u nis për ishullin e La Tortuga për t’u kthyer më 5 shtator”.

“Por më 5 shtator barka nuk kishte arritur destinacionin dhe as nuk ishte kthyer prapa, çka solli nisjen e operacionit të kërkimit.”

“Mëngjesin e 6 shtatorit autoritetet u njoftuan për një objekt të bardhë në det të hapur pranë ishullit të La Orchila ku u gjetën katër njerëz, tre të gjallë e një e vdekur”.

Autoritetet thanë se shanset e mbijetesës do të ishin rritur ndjeshëm nëse grupi do të kishte pasur radio apo sinjal GPS ose mjete të tjera sigurie si fishekzjarre.

FOTO GALERI
2/7
Momenti i gjetjes se te mbijetuarve

Top Channel