‘Liria e navigimit’/ Luftanijet e Kinës patrullojnë në ujërat e zonës ekskluzive ekonomike të SHBA (fotot)

17/09/2021 17:56
Luftanijet kineze tip 055 e 052D

Dy nga luftanijet më të mëdha të fuqishme së Kinës, frigata Tip 055 Nanchang dhe ajo tip 052D Guiyang, patrullonin dje pranë ujërave territoriale të SHBA. Ato shoqëroheshin nga anija mbështetëse tip 903A që i furnizon në misione të largëta.

Dislokimi i tyre konsiderohet si një reagim ndaj prezencës së gjerë të marinës së SHBA në ujërat e pretenduara nga Kina në Detin e Kinës Jugore.

SHBA nisi të ushtrojë parimin e “lirisë së navigimit” në ujërat pranë Kinës prej mesit të viteve 2010, çka është kritikuar ashpër nga Pekini duke i quajtur ‘provokative’.

SHBA konsiderohet se ka avantazh të konsiderueshëm për kryerjen e lundrimeve të tilla, edhe pse luftanijet e saj janë më të vjetra se ato të Kinës.

Por Uashingtoni përfiton nga rrjeti i gjerë i bazave detare në vendet e Paqësorit Lindor, shkruajnë rrjetet amerikane.

Ndërkohë luftanijet kineze nuk kaluan përtej ujërave territoriale amerikane dhe ndërveprimet mes rojës bregdetare të SHBA dhe Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Analistët ndërkombëtarë thonë se luftanija kineze tip 055, Nanchang është më e fuqishmja e kategorisë së saj dhe ka hyrë në shërbim në janar 2020.

Flota kineze ka parë një rritje spektakolare vitet e fundit. Frigatat tip 055 vlerësohen për fuqinë raketore me 112 njësi lëshimi vertikale dhe dhjetë tipe raketash anti-anije, anti-nëndetëse dhe anti-tokësore.

Ato kanë gjithashtu sisteme të shumëfishta mbrojtjeje me katër tipe raketash tokë ajër.

Mbetet të shihet nëse sjellja e Uashingtonit do të influencohet nga afrimi i patrullave kineze.

FOTO GALERI
2/5
Lulftanije tip 052D

Top Channel