Shtatori pozitiv i Kombëtares Kuqezi reflektohet edhe në renditjen botërore të FIFA-s. Shqipëria ngjit 3 shkallë në përditësimin e fundit të klasifikimit global, duke u renditur në vendin e 66-të nga i 69-ti ku ndodhej një muaj më parë. Rezultat pa dyshim i fitoreve 5-0 ndaj San Marinos dhe sidomos i suksesit 1-0 ndaj Hungarisë, me një shkallë më të lartë vlerësimi sa i përket koeficienteve të FIFA-s.
Ndeshje këto që kanë amortizuar ndikimin e humbjes ndaj Polonisë, në Varshavë, me nje rritje prej 8.90 pikësh, që perkthehen në 3 shkallë më tepër në klasifikim. Vendimtare për pozicionimin e Shqipërisë në renditjen botërore sa i përket këtij viti kalendarik do të jenë pa dyshim sfidat e tetorit, ku në program janë sërish dy përballje me Hungarinë dhe Poloninë, që do të vendosin praktikisht edhe mbi shanset e kuqezinjve për t’u renditur në vendin e dytë në grupin eliminator për kualifikueset e Katar 2022, duke qenë se bëhet fjalë për dy rivalët të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë rritje në klasifikimin e FIFA-s shënon edhe Kosova. Dardanët kanë fituar 17.26 pikë nga ndeshjet e shtatorit, ku skuadra e drejtuar nga Challandes shënoi 1 fitore ndaj Gjeorgjisë, barazoi me Greqinë dhe u mund nga Spanja. Kosova aktualisht renditet në vendin e 109-të, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm në klasifikimin botëror.
Sa i përket top-10, në udhëheqje mbetet Belgjika, e ndjekur nga Brazili, Anglia Franca dhe Italia, që edhe pse fitoi eventin më të rëndësishëm futbollistik të vitit, Kampionatin Europian, verën e shkuar, aktualisht gjendet në vendin e pestë të renditjes.
Top Channel