Aventura e Jose Mourinhos në pankinën e Romës ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi verdhekqutë kanë fituar të 6 ndeshjet zyrtare të luajtura që prej fillimit të sezonit dhe suksesin më të fundit e kanë regjistruar në Conference League përballë bullgarëve të CSKA-së së Sofies.
Në “Olimpico” ndeshja nuk nisi aspak mirë për Romën, që e pa veten në disavantazh që në minutën e 10’, pasi një gabim fatal i mbrojtësit Gianluca Mancini bëri që Carey të dërgonte topin në rrjetën e portës së Rui Patricios.
Megjithatë verdhekuqtë reaguan në mënyrë perfekte dhe përmbysën gjithçka në pjesën e parë me golat e Lorenzo Pellegrinit dhe El Sharawit. Pjesa e dytë foli vetëm për vendasit që shënuan sërish me Lorenzo Pellegrinin, i cili ka dërguar topin në rrjetë 5 herë këtë sezon dhe më pas me Mancinin e Abraham, të cilët vulosën rezultatin 5-1.
Po në grupin C, norvegjezët e Bodo Glimt triumfuan me rezultatin 3-1 ndaj ukrainasve të Zoryas, në një sfidë ku gjithçka u vendos në pjesën e dytë, pasi 45-minutëshi i parë përfundoi me rrjeta të paprekura.
Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, Partizani i Beogradit triumfoi me rezultatin 0-2 në Qipro ndaj Anorthosisit, çekët e Jablonec mposhtën minimalisht 1-0 rumunët e Cluj dhe danezët e Randers ndanë nga një pikë me holandezët e Alkmaar, falë barazimit 2-2.
Top Channel