Rama nuk i ndahet Kurtit: Nuk mund t’i jepni leksione Shqipërisë! Këshillat që i jep për të arritur kërkesë falje nga Serbia

16/09/2021 11:37

Gjatë prezantimit të programit qeverisës, kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa përmendur Ballkanin e Hapur dhe faktin se nuk bien dakord me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Rama tha me bindje se askush nuk duhet t’i japë Shqipërisë leksione dhe për Kosovën kërkoi që të kenë bashkëpunim dhe të trajtojnë me respekt mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur. Sipas tij, nuk mund të ikë një 10 vjeçar tjetër duke “thurur tym”.

Ndër të tjera, përmendi arsyet përse Ballkani i Hapur vlen për Shqipërinë ndërsa për Serbinë, tha se duhet të kërkojë falje për krimet e luftës, por kjo nuk arrihet me Facebook, por duke rënë dakord për gjëra për të cilat janë në dobi.

Rama: Të gjitha këto janë përralla me gogol për një luftë nga kolltuku e Facebook me një armik që Kosova, Shqipëria e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bomba e pushkë. Foshnjat që lindën në atë luftë dhe sot po bëhen djem dhe vajza për tu martuar nuk ia kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë.

Për Kosovën, mund të flasim jo të vendosim. Ne na takon thjesht ti respektojmë ata dhe ata duhet të respektojnë vendimet tona. Nëse nuk i pëlqejnë, bujrum, t’i diskutojmë vëllazërisht, por jo t’i shpallim si tradhtar, si filoserb apo nostalgjiko jugosllav ata që mendojnë ndryshe duke luajtur harushë me dhimbjen e njerëzve, të përvëluar nga lufta të kësaj dhe asaj arme që pushkët i nxjerrin vetëm në Facebook. Ballkani i Hapur është pjellë e Procesit të Berlinit për lëvizjen e njerëzve, mallrave e shërbimeve. Në procesin e Berlinit ishte edhe korridori blu, ku është?

Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë. Të nxjerrin vetë gomarin nga balta pa pritur që të na ikë dhe një 10 vjeçar tjetër duke shpresuar se do të tërheqin litarët të tjerët nga Berlini e Parisi se nuk kanë shqetësime të tjera, por të kujdesen për të nxjerrë gomarin tonë nga balta, ndërkohë që ne thurim tym me njëri-tjetrin. Nuk diskutohet mbështetja, ndihma dhe Ballkani i Hapur është një mekanizëm më shumë. Ballkani i Hapur është i njerëzve që nuk duan të presin me orë në kufi, është i fermerëve dhe këtu flas për fermerët shqiptarët që ju thashë janë sot eksportuesit më të mëdhenj të perimeve, të dytët të frutave. Pyeti fermerët në Konispol nëse e duan Ballkanin e Hapur, është i tregtarëve që nuk duan të torturohen për të njërin mall, është i turistëve.

Ballkani i Hapur është i punëtorëve, i atyre që duan të punojnë, të gjejnë një vend pune më të mirë dhe nuk duan që të merren me viza, dokumenta e leje qëndrimi, është i studentëve, i pedagogëve, i tregjeve tona, ne e kemi të pasur shumë këtë tregun politik këtu ndërsa tregun prodhues e kemi të vogël. Ballkani i Hapur është për kulturat tona dhe si ushqim për paqen mes fëmijëve, Ballkani i Hapur i shteteve që është i Europës së Bashkuar që hyn në një proces të ri simetrik me procesin qe duhet të hynë kur të bëhen pjesë e katër lirive. Përmes një procesi bashkëpunimi brenda rajonit, të kenë nxjerrë disa konkluzione, ku është tradhtia, ku është asimilimi, ku është dreqi? A po… do të përfitojë Serbia se është më e madhe. Po qe puna, Serbia përfiton më shumë me Ballkanin e mbyllur se e merr të gjithë mallin nga Kosova.

Është e vërtetë, Serbia është më e madhe me ne të marrë veç e veç dhe mos të harrojë kush se shqiptarët së bashku, serbët janë vetëm njëri nga dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit. Por konvergjenca shqiptare dhe brutalisht, një fjalë që e harrojnë sapo fitojnë zgjedhjet nuk ndodh kurrë përveçse duke zgjeruar shtigjet e paqes, duke marrë njohjen e Kosovës nga Serbia si kulmim i një procesi paqeje dhe duke nxitur fuqizim të faktorit shqiptar si më i përkushtuari euro-atlantik në Ballkan. A duhet të kërkojë falje Serbia për krime lufte? Po, nuk e luan topi. Po si arrihet tek kërkesa e faljes? Duke u izoluar prapa barrikadës së një lufte imagjinare apo duke rënë dakord për gjëra për të cilat janë në dobi dhe të një diçkaje tjetër që është faktorizimi ndërkombëtar shqiptar si popull i përkushtuar ndaj paqes se si i tillë kombi shqiptar ka fituar dhe nëse nuk paraqitet si i tillë është i detyruar të humbasë.

Me luftën në Facebook, në kolltuk ka vetëm rrënim dhe izolim. Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që me Kosovën të trajtojmë këtë mosdakordësi me respekt. Shqipërisë nuk i jepen leksione. 

Top Channel