Një nga sfidat më spektakolare të mbrëmjes në Europa League, ishte padyshim ajo e “King Power Stadium” mes Leicesterit dhe Napolit, që prodhoi plot 4 gola, por asnjë fitues, pasi dy skuadrat ndanë nga një pikë falë barazimit 2-2.
Vendasit e nisën vrullshëm dhe gjetën golin e avantazhit me anë të spanjollit Ayoze Perez në minutën e 9’ të takimit, ndërsa në të 64-ën ishte Barnes që dyfishoi shifrat, duke dhënë idenë e një fitoreje të lehtë për “dhelprat”.
Megjithatë italianët nuk e kishin thënë ende fjalën e tyre dhe në minutën e 69’ ishte sulmuesi nigerian Victor Osimhen që shfrytëzoi një pasim të Fabian Ruiz, për të dërguar topin në rrjetën e Schmeichel dhe rihapur takimin.
Në të 87-ën ishte sërish Osimhen që dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar dopietën personale dhe njëkohësisht duke i dhënë një pikë mjaft të vlefshme Napolit në këtë ndeshje të parë të Europa Leagues, ndërsa në shtesë nuk mungoi as tensioni, me Ndidi që u ndëshkua me karton të kuq.
Nuk munguan golat as në PSV Eindhoven-Real Sociedad, megjithatë edhe në “Philips Stadium” nuk pati fitues, pasi skuadrat u ndanë në barazim 2-2. Mario Goetze kaloi holandezët në avantazh në minutën e 32-të, por baskët u kundërpërgjigjën shpejt, pasi shënuan dy gola në të 34-ën dhe 39-ën, me Januzajn dhe Isak.
Në fillim të pjesës së dytë, Goetze shërbeu saktë për Gapko, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe riktheu barazimin, ndërsa deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe skuadrat ndanë nga një pikë.
Ritëm të lartë dhe agresivitet pati edhe sfida Eintracht Frankfurt-Fenerbahce, e cila u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Turqit gjetën golin e avantazhit me anë të Mesut Ozil në minutën e 10’, ndërsa Eintracht riktheu baraspeshën me Sam Lammers pak para fundit të pjesës së parë.
Në minutën e 93-të, Fenerbahce pati një mundësi të artë të shënojë golin e fitores, por Pelkas gaboi nga pika e bardhë, teksa topin e grushtuar nga portieri Trapp, e dërgoi në rrjetë sulmuesi shqiptar Mërgim Berisha. Megjithatë turqit nuk mund të festojnë, pasi VAR-i ndërhyn dhe sugjeron anulimin e golit, duke qenë se sulmuesi Berisha kishte hyrë në zonë para se të ekzekutohej penalltia nga Pelkas.
Në sfidat e tjerë, Monaco triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Sturm Graz, Lyon fitoi 0-2 në transfertën skoceze ndaj Rangers, ndërsa Olympiacos mposhti me rezultatin 2-1 belgët e Antwerpit.
Top Channel