Vrasja e Santiago Malkos/ Pezullohet gjykimi për disa të akuzuar, vijojnë seancat vetëm për Ilir Selmanin

15/09/2021 13:26

Gjykimi për disa persona të shpallur në kërkim, të cilët akuzohen për vrasjen e Santiago Malkos do të pezullohet për një vit. Gjykata ka veçuar dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Oltian Loka, Aleksandër Maxhaku dhe Dritan Agaj, ndërsa seancat gjyqësore vijojnë për Ilir Selmanin, thonë burime për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha.

Ky vendim është marrë bazuar në nenin 352/1, ku thuhet: “Kur i pandehuri në gjendje të lirë, me gjithë kërkimet, sipas neneve 140 -142, të këtij Kodi, nuk paraqitet në seancë dhe rezulton se nuk ka marrë dijeni personalisht për gjykimin, gjykata vendos pezullimin e tij dhe urdhëron policinë gjyqësore të vazhdojë kërkimin e të pandehurit. Me kalimin e një viti nga data e pezullimit të gjykimit për këtë shkak, si dhe në çdo moment kur ka informacione për vendndodhjen e të pandehurit, gjykata rifillon gjykimin, duke urdhëruar përsëritjen e njoftimit. Kur edhe pas kërkimeve të kryera rishtazi i pandehuri nuk gjendet, gjykata deklaron mungesën. Në këtë rast gjykimi zhvillohet në praninë e mbrojtësit.”

Të shpallurit në kërkim akuzohen për veprat penale vrasje me dashje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Kujtojmë se ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit Santiago Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje. I riu ishte një emër i njohur për autoritetet. Ai në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA