Presidenti serb Aleksandar Vuçic u bëri thirrje serbëve të varin që të gjithë flamurin serb sot në ditën e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit të tyre Kombëtar. Apeli i drejtohet serbëve në Serbi dhe Republikën Srpska, entiteti serb i Bosnjës, por Vuçiç nuk u mjaftua me kaq.
Thirrja e tij përfshinte dhe serbë nga të gjithë vendet e tjera duke përmendur dhe Kroacinë që luftoi me pakicën e saj serbe në vitet 1991-19 95. Kreu i Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) Branko Bačić e cilësoi këtë lëvizje të presidentit të Serbisë si të papërshtatshme, të papranueshme dhe provokuese, e citoi Aktin e Rendit dhe Ligjit Publik i cili thekson se shpalosja e flamujve të vendeve të tjera nuk lejohet.
Ivana Posavec Krivec, deputete e SDP tha se pakicat kombëtare në Kroaci mund të shfaqin simbolet e tyre kombëtare, por shtoi se ajo nuk beson se qytetarët serbë do ta bëjnë këtë me ftesë të presidentit serb. Deputeti Milorad Pupovac, udhëheqës i Partisë së Pavarur Demokratike Serbe dhe Këshillit Kombëtar Serb (SNV) që përfaqëson pakicën serbe më Kroaci, u distancua nga thirrja e Vuçiç e tha se pavarësisht pritshmërive, do të bënte gjithçka në mënyrë që 15 shtatori të mos prishë marrëdhëniet etnike në Kroaci ose marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë.
Pupovac tha se çdo shfaqje e lidhjes me vendin amë dhe festat e tij, duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin e vendit ku ata jetojnë. Presidenti kroat Zoran Milanović e përshkroi nismën si pa kuptim, duke thënë se “djalli gjen punë për duart boshe”.
Top Channel