Taksa progresive, do të ulet/ Premtohet rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë në muaj

15/09/2021 19:41

“Shqipëria 2030” është kjo motoja e mandatit të tretë të qeverisë Rama që vjen me një program të ri ekonomik me ndryshime në taksa e mbështetje për sektorë kyçë të ekonomisë.

Mesatarisht 4.5% në vit, është ky targeti që synon ekzekutivi për rritjen ekonomike të vendit, teksa zotohet për ulje të borxhit publik nën nivelin e 60% në fund të mandatit.

Rritja e pagës minimale deri në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është aktualisht është edhe fokusi i ekzekutivit, që synon përmes kësaj mase që 435 mijë të punësuar të mos paguajnë taksë për këtë nivel page.

Rritje pagash në mënyrë të përshkallëzuar parashikohen për kategori të caktuara, ku duke nisur nga korriku i vitit 2022 pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 40% deri në fund të mandatit, ndërsa për punonjësit e administratës publike rritja pritet të jetë në masën 30%.

Në fund të mandatit të tretë, paga mesatare në administratë do të shkojë në 85 mijë lekë në muaj, nga 72 mijë lekë që është aktualisht.
Ndryshime do të bëhen edhe në taksimin progresiv, ku tashmë taksa progresive 23% do të aplikohet vetëm për pagat mbi 200 mijë lekë e lart, nga 150 mijë që është aktualisht. Për pagamarrësit me pagë minimale tatimi do të jetë zero dhe për ato me pagë deri në 200 mijë taksimi do të jetë 13%.

Lehtësi parashikohen edhe në rimbursimin e TVSH-së për bizneset, që prej 1 janarit të 2023 parashikohet të bëhet tërësisht në mënyrë automatike.
Mbështetje për sipërmarrjen premton qeveria Rama në mandatin e tretë me zero taksa për bizneset e vogla dhe nxitje të sipërmarrjeve për të rinjtë, duke alokuar për këto të fundit një fond prej 10 milionë euro për start up-et.

Me 5 mijë euro grant do të mbështetet çdo emigrant që kthehet në Shqipëri dhe hap një biznes në vend, teksa me qëllim nxitjen e investimeve me pajisje të prodhuara në vend dhe që nuk ndotin mjedisin parashikohet një masë mbështetëse deri në kuotën 40% .
50 milionë euro është garancia që do të vihet në dispozicion të bizneseve të manifakturës të goditura fort nga kriza për përballimin e kostove të kalimit në ciklin e plotë të prodhimit duke promovuar markën Made in Albania.

Në fokus të qeverisë do të jetë edhe Teknologjia dhe Informacioni, pasi sipërmarrjet e këtij sektori do të paguajnë vetëm 5% tatim fitim, ndërsa parashikohet krijimi I një garancie për kreditim për IT prej 50 milionë euro.

Top Channel