Salih Mustafa konfirmon deklaratën e tij: Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që më ngarkohen

15/09/2021 11:32

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ndaj të cilit ka nisur sot gjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë, është deklaruar i pafajshëm.

Nga gjyqtarja atij i është kërkuar të konfirmojë deklaratën e tij të dhënë më 28 tetor të vitit 2020 rreth fajësisë apo pafajësisë së tij.

Nuk jam fajtor për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar janë lexuar akuza ndaj Mustafës, por jo aktakuza në tërësi.

Në aktakuzën e konfirmuar prokurori i specializuar akuzon zotin Salih Mustafa me: 1. Krimin e luftës të ndalimit arbitrar sipas nenit 14 1c të ligjit, të kryer në një kompleks ndalimi në Zllashë në Kosovë, kundër të paktën gjashtë personave nga afërsisht 1 prilli 1999 deri 19 prill 1999; 2. Krimin e luftës të trajtimit mizor sipas nenit 14 paragrafi 1 nën paragrafi ‘c’ të kryer në një kompleks ndalimi në Zllashë në Kosovë kundër të paktën gjashtë personave nga afërsisht 1 prill 1999 dhe 19 prilli 1999; 3. Krimi i luftës torturë sipas nenit 14 kryer në kompleksin e ndalimit që ndodhet në Zllashë në Kosovë kundër të paktën gjashtë personave afërsisht nga 1 prilli 1999 dhe 19 prill 1999 dhe; Pika 4 krimi i luftës për vrasje të paligjshme sipas nenit 14 të ligjit kryer në kompleksin e ndalimit që ndodhet në Zllashë në Kosovë kundër një personi midis afërsisht 19 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999”, ka thënë prokurori.

Ky është gjykimi i parë që po fillon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe që po qëndron në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Top Channel