Pas takimit zyrtar me Aleksandar Vuçiç, Angela Merkelin e priste një darkë me presidentin serb dhe bashkëpunëtorët e tij. Mediat serbe mbuluan çdo detaj të vizitës së kancelares, e nuk kanë lënë jashtë vëmendjes as menunë që i ishte rezervuar asaj.
Në restorantin që përgatiti ushqimin, të gjithë ishin shumë nervozë, thonë ato. Merkelit i është shërbyer vetëm ushqim tradicional që çdo mikpritës në Serbi do t`i nxirrte dikujt i cili i vjen për vizitë në shtëpi.
Shefi i kuzhinës thotë se nuk ka pasur kërkesa të veçanta nga Gjermania, dhe se ushqimi që ofrohet është nga veriu në jug të Serbisë. Disa nga specialitetet në menu ishin djathëra, salçiçe, proshuta dhe lakra turshi.
Gjatë turneut të saj të lamtumirës në Ballkan, Merkel zgjodhi të ndalonte vetëm në Beograd e në Tiranë. Në këtë mënyrë, kancelarja gjermane kërkoi të tregonte në fund të mandatit të saj mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si dhe për zhvillimin e tij.
Gjatë vizitës në Beograd, Kancelarja Merkel u shpreh edhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si një kusht për anëtarësimin në BE të Serbisë.
Top Channel