Projektet infrastrukturore do të jenë një tjetër fokus i qeverisë Rama edhe në mandatin e tretë qeverisës, ku brenda këtij vitit pritet të nisin punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës si dhe të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e atij të Sarandës që pritet t’i japë një hov të madh zhvillimit të turizmit.

Zhvillime priten edhe në rrjetin hekurudhor me nisjen e punimeve për Hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës brenda 2021, teksa edhe punimet për rrugën e Arbrit pritet të shënojnë mbylljen e tyre në fund të këtij viti. Në pranverën e ardhshme sipas parashikimeve të qeverisë do të jetë gati për qytetarët edhe aksi rrugor Kardhiq-Delvinë.

Zhvillimi i transportit detar dhe i infrastrukturës aeroportuale është ndër objektivat kyçë të ekzekutivit në mandatin e tretë, ku janari i 2022 do të shënojë edhe nisjen e punës për transformimin e portit të Durrësit, një projekt madhor me vlerë rreth 2 miliardë dollar. As energjia nuk mbetet pas në programin ‘Shqipëria 2030”, pasi brenda marsit 2022 nënshkruhet kontrata për projektin e hidrocentralit të Skavicës me kompaninë amerikane Bechtel, ndërsa ajo për ndërtimin e TEC-it të Vlorës pritet të firmoset në qershor të vitit të ardhshëm. Pranvera e vitit 2022 është përcaktuar si afati për nisjen e punimeve të parkut fotovoltaik të Karavastasë, me një kapacitet të instaluar prej 140 MW, teksa në shkurt është parashikuar të bëhet tërësisht operacionale Bursa e Energjisë.

Më shumë vëmendje premtohet edhe për bujqësinë në mandatin e tretë qeverisë, duke vënë theksin në rritjen e eksporteve përmes orientimit të investimeve në rritjen e agro-përpunimit, lehtësirave në blerjen e makinerive dhe pajisjeve si dhe rritjen e aksesit në tregjet ndërkombëtare. Përmes instrumenteve mbështetës, synohet rritje e bizneseve agroturistike dhe bujtinave që kanë marrë së fundmi një hov zhvillimi, ndërsa parashikohen politika nxitëse për emigrantët dhe të rinjtë.

70 milionë euro është mbështetja e parashikuar për fermerët përmes naftës pa akcizë dhe skemave mbështetëse, teksa përmes programit IPARD III do të vihen në dispozicion të fermerëve 146 milionë euro. Ndër të tjera parashikohen disa lehtësi fiskale me zero TVSH për makinat bujqësore në import e brenda vendit, tarifa zero për regjistrimin dhe vaksinimin e detyruar të blegtorisë, si dhe 5% tatim fitim për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor.

Top Channel