Përplasje në Hagë, prokurori: Ke vrarë shqiptarë! Mustafa: Jeni zyrë Gestapo!

15/09/2021 14:12

Prokuroria e Specializuar në Hagë nisi gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Gjatë fjalës së tij hyrëse, Prokurori Jack Smith, tha se përpara kësaj gjykate do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.

Jack Smith: Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë.

Sipas Prokurorisë së Specializuar “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vetë Mustafa nuk pranoi asgjë e u deklarua i pafajshëm.

Mustafa: Nuk jam fajtor për asnjë nga akuzat që më ngarkon kjo zyrë e Gestapos.

Aktakuza kundër Mustafës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme u konfirmua qershorin e  vitit të kaluar. Ai u arrestua në 24 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë gjendet në paraburgim në Hagë. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa,  i njohur si ‘komandant Cali’, sipas aktakuzës, thuhet të janë kryer prillin e 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllashm në komunën e Prishtinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA