Kritika të shumta janë dhënë nga Kosova në drejtim të kryeministrit Edi Rama rreth mos pjesëmarrjes së Kosovës në nismën Open Ballkan, të cilën kreu i ekzekutivit shqiptar e quajti ide konspirative.

Monitoruesja e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës, Jeta Krasniqi vlerëson se komunikimi i zgjedhur nga Rama nuk ishte i duhur, në veçanti karshi kancelares gjermane, Angela Merkel.

Krasniqi thotë se Rama është dashur t’i kërkojë Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës para se t’i kërkonte Kosovës hyrjen në Open Ballkan.

Ajo shton se Serbia nuk është e interesuar fare për të qenë e hapur për një bashkëpunim me vendet e Ballkanit përmes kësaj iniciative.

Kundër kësaj nisme është shprehur edhe Presidentja Vjosa Osmani gjatë një vizitë në Berlin, duke e quajtur të rrezikshme.

Vjosa Osmani: “Ballkani i Hapur jo vetëm i rrezikshëm, por edhe bën shtyrjen e procesit të integrimit evropian. Kemi vlerësuar vazhdimisht Procesin e Berlinit. Mendojmë se ky proces ka afruar shtetet e rajonit, ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që disa shtete s’i kanë implementuar. Bëhet fjalë për Serbinë.”

Në kuadër të procesit të dialogut të monitoruar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia nënshkruan në të kaluarën disa marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, por asnjë nga to nuk është respektuar kur kanë qenë në favor të Kosovës, përfshirë edhe një mori marrëveshjesh tjera.

Shtyrja e vazhdueshme e zgjidhjes së këtyre problemeve jetike për lëvizjen e njerëzve, ka shtyrë Kosovën të ndërmarrë hapa drejtë reciprocitetit.

Top Channel