Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka çuar në burg një punonjës policie të Lushnjës dhe ka lënë në arrest shtëpie një tjetër, pasi dyshohen se kanë kryer veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Vendimi për arrestimin është dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe arrestimi i tyre ka ardhur pas hetimeve nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA Fier, bazuar mbi dyshimet se gjatë ushtrimit të detyrës, këta punonjës kanë abuzuar me detyrën, duke moszbatuar me korrektësi procedurat standarde për ndalimin e drejtuesit të një mjeti të shpallur në kërkim, si edhe kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
“Në këto kushte, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj punonjësit të policisë E. C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të parashikuara nga neni 248 dhe 86/3 i Kodit Penal.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj punonjësit të policisë A. P., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të parashikuara nga neni 248 dhe 86/3 i Kodit Penal”, njofton SHÇBA.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Top Channel