Të ardhurat u rritën nga rritja e çmimeve/ Në 8 muaj u mblodhën 437 milionë euro më shumë se një vit më parë

14/09/2021 15:20

Të ardhurat në arkën e shtetit ndoqën një ecuri pozitive për 8-mujorin duke u rritur me 437 milionë euro më shumë se një vit më parë, e duke kaluar edhe nivelet e vitit 2019.

Eksperti Eduart Gjokutaj shpjegon se më shumë se miradministrimit fiskal, i atribuohen konsumit të munguar në 2020-ën.

Kjo është reflektuar edhe me rritjen e TVSH-së me 133 milionë euro më shumë, teksa efekti në shtimin e të ardhurave nga taksat e punës lidhet kryesisht me tatimin për deklarimin e të dypunësuave.

Ndikim ë të ardhurat doganore kanë dhënë rritja e mallrave të importit dhe çmimeve të disa produkteve si karburantet, çka ka bërë që taksat nga akciza të rritën me mbi 5 miliardë lekë më shumë.

“Nuk shikoj të ketë pasur ndonjë nivel përmirësimi të administrimit të të ardhurave nga autoritetet, pasi fokusi tashmë është te fiskalizimi. Kjo vjen më së shumti nëse e zbërthejmë në element nga kërkesa që vjen nga mallrat e importit që kanë rritur artificialisht për momentin edhe çmimet, por edhe nga pjesa e konsumit të energjisë dhe nga pjesa e shërbimeve që në këtë sezon patën një zhvillim pozitiv. Akciza dhe TVSH-ja që bënë dallim më të madh në import janë ato që bënë ndryshimin. Të ardhurat nga dogana që janë me një tregues 9% më shumë se tatimet tregon se ajo TVSH e mbledhur në dogana ndoshta në muajt e ardhshëm do shprehet në një TVSH më të ulët në të ardhurat e TVSH-së së brendshme.”

Për ekspertin Gjokutaj, kjo ecuri pozitive e të ardhurave dëshmon për një normalizim të ekonomisë pas goditjes, por gjallërimi i saj dhe kthimi në normalitet është ende larg.

Pjesa më e madhe janë tregues që nëse i gjykojmë janë në një nivel normaliteti të ecurisë së tyre dhe nuk tregojnë optimizëm të bizneseve pasi tatimfitimi pasi është tregues që bazohet më së shumti mbi nivelin e të ardhurave të deklaruara në 2020 por dhe paradhëniet që mund të jepen për 2021.

Sipas Gjokutaj, administrata tatimore duhet të rrisë kontrollin tatimor dhe të vendosë fokusin te ekonomia që qarkullon paranë më të madhe cash’, veçanërisht në sektorin e hidrokarbureve, turizmit e tregtisë ku me gjithë përjashtimet tatimore, nuk është reflektuar në rritje të eficencës në të ardhura e as ulje të çmimeve të mallrave që tregtohen.

Top Channel