Pochettino: S’e besoja që do të merrnim Messin, Hakimi me shumë potencial

14/09/2021 13:50

Mauricio Pochettino e pranon se nuk e priste që Paris Saint-Germain të nënshkruante me Lionel Messin këtë verë, pasi 34-vjeçari u informua nga Barcelona se nuk mund të përballonin pagën e tij, edhe pse kishte pranuar uljen 50% të saj. Në një intervistë për UEFA-n, 49-vjeçari u shpreh:

“Mund të mos jem personi më i përshtatshëm për të përshkruar Messin. Ka shumë më tepër njerëz që kanë një fjalor më të gjerë për ta përshkruar më afër realitetit që meriton Leo. Gjithmonë do të konsiderohet ndër më të mirët në botë. Që kur mbërriti, me të vërtetë është përshtatur shumë shpejt dhe po stërvitet shumë mirë, duke u përpjekur të arrijë nivelin e tij më të lartë sa më shpejt. Nuk mendoja se ishte e mundur që Messi të nënshkruante për PSG. Ne të dy jemi argjentinas, të dy mbështesim Newell’s, të dy vijmë nga Rosario.”

Sergio Ramos është një tjetër emër i madh që u afrua si lojtar i lirë, pas skadimit të kontratës së tij me Realin e Madridin, por debutimi i tij po vonon për shkak të një problem fizik.

“Sergio është gjithashtu një lojtar që ne mendojmë se mund të na ndihmojë me përvojën dhe grintën e tij. Ai është një lojtar që ka fituar gjithçka, ashtu si Leo.”

Achraf Hakimi mbërriti në “Parc des Princes”, nga Interi, për 60 milionë euro dhe ai është përshtatur në mënyrë perfekte te parizienët. Trajneri argjentinas pranoi se ai u përpoq të nënshkruante me marokenin që kur drejtonte Tottenham Hotspur.

“Achraf është një lojtar i ri, të cilin e kam ndjekur që kur isha te Tottenhami. Ishim shumë pranë nënshkrimit me të, por më pas ai shkoi të luante për Borussian e Dortmund. Ai vrapon shumë, ka potencial të jashtëzakonshëm fizik. Po piqet në nivelin mbrojtës, por ai jep shumë kontribut në sulm.”

Top Channel