Kampione pa asnjë humbje/ Us open 2021, Emma Raducanu fiton Grand Slam

12/09/2021 15:27

Emma Raducanu është kampionia e US Open për vitin 2021.

Tenistja britanike që ende nuk e ka festuar 19 vjetorin e saj të lindjes mundi në finalen bashkëmoshataren kanadeze Leylah Annie Fernandez 2-0 duke shkruar historinë në tenisin britanik, sepse për herë të parë pas 44 vitesh një teniste nga Mbretëria e Bashkuar fiton një turne Grand Slam.

Por jo vetëm kaq, Raducanu bëhet e vetmja teniste që është në gjendje të fitojë një turne Grand Slami duke e nisur atë nga raundet kualifikuese pa humbur as edhe një set të vetëm.

Sfida nisi shumë mirë për Raducanun që mori avanmtazhin 2-0, por Fernandez iu kundërpërgjigj duke barazuar në 2-2. Që nga game i 5 deri në të 10, asnjë prej tenisteve nuk gabuan me shërbimet e tyre por kur rezultati ishte 5-4, Raducanu arriti të fitojë 4 set point për të mbyllur këtë fraksion 6-4

Në setin e dytë, ishte Fernandez që e nisi më mirë teksa mori kryesimin në 2-1. Reagimi i britanikes ishte i menjëhershëm teksa ajo nuk gaboi më dhe duke përfituar nga vështirësitë që hasi rivalja e saj fitoi 5 game radhazi për të çuar rezultatin në 5-2 në favorin e saj, ndërkohë që seti u mbyll me shifrat 6-3 dhe 2-0 me sete.

Fernandez nga ana e saj ka meritën se gjatë këtij rrugëtimi të saj në US Open eliminoi lojtare të pesëshes më të mirë të renditjes WTA deri në këtë finale që konfirmoi se dy yje kanë lindur në tenisin botëror të femrave.

Top Channel