U vra nga ish-burri, 23-vjeçarja kishte urdhër mbrojtjeje deri në tetor/ Si i shpëtoi burgut autori në Fier!

11/09/2021 12:56

Detaje të reja kanë dalë në drita nga vrasja e 23-vjeçares Sabrina Bengaj nga ish-bashkëshorti i saj.

Gjykata e rrethit gjyqësor Fier e pajisi të ndjerën me një urdhër mbrojtje që ka nisur prej datës 14.10.2020 të vitit të kaluar dhe do të përfundonte më datën 14.10.2021.

Sabrinës i përfundonte urdhri i mbrojtjes, mirëpo ndonëse e kishte një urdhër të tillë, nuk arriti që ta mbronte nga marrja e jetës. Vendimin për t’u pajisur me urdhrin e mbrojtjes e ka dhënë gjyqtari Alfred Konomi.

Në dokumentat e siguruar nga Top Channel mësohet se Elton Bengaj Metaj dhe Sabrina Bengaj ishin ndarë prej gati një viti.

Në janar, prokurori i çështjes, Çlirim Sina pa pasur pretendim nga familjarët apo i pandehuri, ka kërkuar në gjykatë që Elton Metaj të mos qëndrojë në qelinë e paraburgimit të Fierit, por të shkojë në spitalin e burgut të Zaharisë, për ata që janë me probleme të shëndetit mendor, bazuar mbi një ekspertizë nga mjekë të Institutit Ligjor.

Gjykata me një vendim të gjyqtarit Piro Sota, kishte vendosur më 1 mars 2021 caktimin si masë mjekësore ndaj Elton Metaj Bengaj, atë të ‘mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor’.

Po kështu, kishte vendosur dhe pushimin e çështjes penale të 21.09.2020 për veprat penale ‘Dhunë në familje’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Ndërsa më 26 korrik 2021, po Gjykatësi Piro Sota ka vendosur zëvendësimin e masës mjekësore ndaj Metaj, nga ‘mjekim i detyruar në një institucion mjekësor’ në masën mjekësore ‘mjekim i detyruar ambulator’ nën kujdesin e babait të tij Bashkim Meta.

Një herë në muaj, sipas vendimit, 31-vjeçari duhet të paraqitej pranë mjekut neuro-psikiatër në Poliklinikën e Specialiteteve Fier. Po edhe këto masa dhe vendime gjykatash nuk mundën të parandalonin krimin e rëndë në Fier që i mori jetën një nëne të re, të një vajze 3-vjeçare.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA