Shkëmbi: Presioni nuk mungon, jemi ndërtuar për objektiva madhorë

11/09/2021 16:52

Pas 9 vitesh në ligat e ulëta të futbollit shqiptar, Dinamo ia ka dalë të rikthehet në elitë dhe për t’u përfaqësuar sa më denjësisht në Abissnet Superiore, ka bërë një revolucion të vërtetë gjatë merkatos së verës.

Blendi Shkëmbit i është besuar drejtimi i skuadrës dhe në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së parë ndaj Kastriotiti, tekniku korçar u shfaq optimist se Dinamo do të jetë në pjesën e sipërme të renditjes, ashtu siç ta imponon edhe emri i ekipit.

Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Kastriotit?
Shpresoj që të ketë më pak polemika. Nga çdo sfidë do kërkojmë 3 pikët, respektojmë kundërshtarët, nisur nga Kastrioti që ka një lojë të veçantë dhe merr karakterin e trajnerit. Dimë që është e vështirë, por duam tri pikët.

Jeni një skuadër e ndërtuar rishtazi, a i ka Dinamo titullarët e saj?
Përpara kësaj ndeshje, është e qartë kush do startojë dhe do ndihmojë ekipin në 90 minuta. Të gjithë ne, stafi, jemi të qartë që këtë lodhje të dy muajve nesër ta konkretizojmë me sukses.

Sa presion ka të drejtosh Dinamon e rikthyer në Superiore pas plot 9 vitesh?
Çdo skuadër ka presion, por emri i madh i Dinamos ta shton edhe më shumë atë. Megjithatë presidenti na ka krijuar të gjithë kushtet dhe e falënderoj për këtë, ndaj jemi gati t’ia shpërblejmë në fushën e lojës.

Cilat janë objektivat e Dinamos këtë sezon?
Kemi krijuar nga zero ekipin dhe nuk kemi frikë e as presion për nivele të larta. Emri i Dinamos të lejon të luftosh për titullin kampion ose minimum për Europën. Nga financat jemi ndërtuar për të qenë lart në renditje.

Sa e vështirë do të jetë përballja me Kastriotin?
E thashë më parë, kur e shoh trajneri e tyre, e di çfarë kërkon, në kontekstin pozitiv. Nëse nuk përgjigjemi me të njëjtën monedhë, do kemi problem. Kemi respekt për ta, por kam listën e futbollistëve të mi dhe po punojmë për të qenë më të mirët e këtij kampionati. Analiza bëhet në fund.

Sa i gëzoheni rikthimit të tifozëve?
Tifozët do jenë bonus, kanë kaq vite që presin të jenë aty për ekipin e tyre.

Top Channel